Jo të gjithë ata që kanë zgjedhur Shqipërinë ankohen për çmimet e larta. Padyshim që kriza e rritjes ka kapluar çdo vend, por nëse di të zgjedhësh ndër vendet që do të frekuentosh, pushimet në plazhet e Jugut mund të rezultojnë parajsa vetë.
Kjo është ajo çfarë ka konstatuar një gazetar shqiptar i Kosovës i cili ka zgjedhur fshatrat e Himarës për të kaluar pushimet këtë sezon. Ai shprehet se çmimet janë më të lira në Jug të Shqipërisë se në Kosovë. Ndër të tjera në Himarë porosit një birrë që i vjen tek shezlongu për vetëm 200 Lekë.
Përsa i përket çmimit të dhomave thotë se mund të gjesh nga ato me pamje të mrekullueshme për 40-60€ nata.
SHKRIMI
Nga Shkumbin Kajtazi
“Janë pak vende në jug të Shqipërisë, ku s’kam shkelë qoftë për me hangër qoftë për me fjet. Edhe buka edhe fjetja, e sidomos pija, janë më të lira se në Kosovë.
Është irrituese me pa njerëz që ankohen për çmimin e bukës në jug, ndërkohë që për m’i shëru komplekset, në Kosovë shkojnë në kafene ku sallata të kushton sa racioni me tri pjata në Shqipëri.
Irrituese, po ashtu, është me pa njerëz që ankohen për çmimin e pijeve në jug, ndërkohë që për t’u dukur të rëndësishëm pijnë espresso gati 2 euro në Prishtinë. A unë, e porosis një birrë që më vije tek shezloni për vetëm 200 lekë. Birra në Prishtinë është moti 2 euro, edhe atë e pini me pamje nga ndonjë kontejner bërlloku.
Ani kur ankohen për çmimin e fjetjes në dhoma buzëdetit, ndërkohë që paguajnë 100 e përmbi euro për villa koti, si në Zllatar psh. Në jug, sa për info, mund të flesh në dhoma buzëdetit me çmim 40-50-60 euro(si kjo në foto).
A nëse shkoni në Folie Marine e Sanur, për me ju shitë mend shoqnisë masnej, dijeni që birrën e keni 5-6 euro e hamburgerin 8 euro. Prej aeroplanit dihet që këto vende dhe soji i tyre, nuk janë për ata që ankohen për çmimet.
Fshatrat e Himarës janë mrekulli, edhe s’kanë me m’u gërdit sado që folni palidhje ❤