Ndryshe nga stina e verës ku shumica e te prekurve ishin asimptomatikë, tashmë personat e prekur po shfaqin më shumë shenja klinike.
“Ka pasur edhe studime të cilat dëshmojnë për ndonjë mutacion të këtij virusi që është shoqëruar me një rritje të transmetueshmërisë. Virusi është bërë më i replikueshëm, çka do të thotë që mund të sjellë edhe një rritje të sasisë së virusit në organizmin e personit të infektuar dhe patjetër nëse kjo sasi virusi është më e madhe do të shoqërohet edhe me një klinikë më të shprehur”, tha Dervishi.
Por a do të ketë një mbyllje të vendit në prag të festive të fundvitit? Në ISHP thonë se situata do të vijojë të mbahet nën vëzhgim. “Përderisa në këtë moment kemi akoma kapacitete spitalore të paezauruara mendoj që do të vijojmë me këto masa. Kemi akoma kohë për të përcaktuar si do të jetë situata në festat e fundvitit”.
Pozitiviteti nga tamponët e kryer ditët e fundit ka zbritur në 28 nga 30% që ishte një javë më parë, por është ende larg kufirit nën 10% që OBSH e ka vendosur për kalimin e vendit në një situatë normale.