Një nga plazhet më të preferuara të jugut, Drimadhesi është braktisur thuajse plotësisht nga pushuesit në këto ditë të nxehta të Gushtit.
Edhe pse 15 ditëshi i dytë i korrikut dhe 15 ditëshi i parë i gushtit konsiderohen si periudha me fluksin më të lartë të pushuesve në vendin tonë, boshatisja e plazheve si Drimadhes, Spilleja e deri dhe Shëngjini, tregojnë se diçka nuk po funksionon si duhet.
Arsyet janë të shumta, nga keqmenaxhimi i vijës bregdetare me ndërtime pa kufi deri te çmimet e larta.
“Ushtria” e shtretërve të plazhit në Drimadhes qëndron e zbrazët përballë dallgëve të detit.
Çmimet…ato që janë denoncuar me qindra herë në rrjetet sociale: Te reshti i parë i gazebo-ve ndihesh si mbret, kushton plot 70 mijë lekë. Te brezi i dytë 50 mijë lekë, dhe pjesa tjetër që as nuk e çon në mendje të marrë termus me vete, kushton 30 mijë lekë.
Nëse Shqipëria ka arritur t’i marrë turistë Greqisë, siç deklaroi ministrja e Turizmit, nëse edhe këtë vit kanë ardhur italianë, apo nëse në vendin tonë ndodhen 250 mijë turistë serbë siç është raportuar në disa media, një gjë është e sigurtë. Ata nuk ndodhen në këtë plazh.