“Ishte një bishë, prej guri”, ishin këto fjalët e trajnerit të Aleksandër Lambi, futbollistit shqiptar që ndërroi jetë gjatë një ndeshjeje mesditën e djeshme në Greqi.
Trajneri i tij tha për mediat greke, se e ka ndjekur 22-vjeçarin që prej fillimit të karrierës së tij dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme shëndetësore.
“Ishte një bishë, prej guri. Ai kurrë nuk ka pasur probleme shëndetësore. E kam ndjekur prej 5 vitesh që në fillimet e karrierës së tij. Nga ekipet e vogla deri kur arriti nivelin profesionist. Ai nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me Apollon në 2019 si një shpërblim për përpjekjet dhe vlerat e tij”, u shpreh ai.
Trajneri ka folur me fjalët më të mira edhe për familjen e shqiptarit. “Ata janë njerëz shumë të mirë. Nëna e tij ishte në shok në spital. Më tha se kishte kaluar aq shumë ekzaminime dhe nuk shfaqte as më të voglin problem shëndetësor”, shtoi ai.