Mashtrimet dhe përfitimet në rrjetet sociale janë bërë një gjë e zokonshme në ditët tona, ku shpesh persona të ndryshëm përdorin profile fallco me qëllim përfitime materiale. Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në Pogradec, ku një 29-vjeçar i identifikuar si shtetasi Eri Mulleti, ka mashtruar një emigrant shqiptar që jeton në Itali dhe i ka zhvatur plot nëntë milionë lekë. 29-vjeçari kishte hapur një profil fallco në Facebook me emrin “Klareta Shaba”, duke u hequr kështu si vajzë e interesuar për lidhje serioze, raporton TCh. Hetimi ka nisur në Pogradec, por më pas është zhvendosur në Tiranë dhe u arrit të zbulohej se emigranti A.A njohu virtualisht “Klaretën”, por për shkak të kufizimeve të pandemisë e kishte patur të vështirë për ta takuar.
Sipas dosjes që disponon TCh, mësohet se Mulleti ishte një i ri në vështirësi ekonomike dhe i papunë dhe kështu kishte vendosur të hapte një profil në Facebook me mbiemrin e gjyshes dhe emrin e një të njohure, fillimisht për lojë dhe për të parë çfarë ndodhte në botën virtuale, sipas asaj që tha ai. Ai iu prezantua emigrantit sikur ishte pronare butiku në Tiranë dhe vijuan bisedën për një javë. Më pas “Klareta” i ka kërkuar ndihmë emigrantit duke i thënë se ka të ëmën sëmurë, ndërsa gjatë bisedave telefonike imitonte zërin e një vajze. “Kam besuar deri në fund se po flisja me një femër”- thotë në denoncim emigranti.
Ai i ka dërguar fillimisht 400 euro në emër të të ëmës dhe më pas nëna dhe gjyshja e mashtruesit tërhiqnin shumat në llogaritë e tyre. Mirëpo pasi u kthye në Pogradec dhe kërkoi të takonte “Klaretën”, 29-vjeçari ka bllokuar çdo kanal komunikimi dhe nisur nga kjo emgigranti është bindur se e gjitha ishte mashtrim dhe për pasojë ka bërë denoncim në polici.