Shfaqja e thinjave është normale dhe është shenjë e pritshme e plakjes, gjë të cilën të gjithë ne e përjetojmë. Përgjatë moshës, ne fillojmë të shohim më shumë thinja në skalpin tonë, por ato mund të jenë shenja të problemeve të ndryshme shëndetësore.
Më saktësisht, hulumtuesit e Universitetit të Kairos në Egjipt kanë zbuluar se shfaqja e shpejtë e thinjave është e ndërlidhur me një rrezik më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, pavarësisht moshës që keni.
“Plakja është faktor i pashmangshëm i rrezikut koronar dhe ndërlidhet me shenja dermatologjike të cilat mund t’ju paralajmërojnë për një rrezik të shtuar të zhvillimit të sëmundjeve të ndryshme”, ka treguar Dr. Irini Samuel, kardiologe në Universitetin e Kairos.
Për studimin e tyre, hulumtuesit kishin ekzaminuar 545 meshkuj të rritur, të cilët i kishin ndarë në grupe të ndryshme dhe kishin parë se meshkujt të cilët po zhvillojnë më shpejt thinja, po kanë rrezik më të shtuar të sëmundjeve të zemrës. /Telegrafi/