Vala e nxehtë nga e cila është përfshirë e gjithë Shqipëria duket se nuk do të kalojë aq lehtë as tani gjatë muajit gusht. Sinoptikania Lajda Porja ka treguar ditën e sotme se vendi ynë është ende i ndjeshëm ndaj valës së të nxehtit dhe ka patur edhe rritje të temperaturave deri në 38 gradë. Sipas sinoptikanes deri të mërkurën edhe zonat e ulëta do të përballen me temperatura të larta deri në 38 gradë, ndërsa në Berat, Gjirokastër e Elbasan pritet që temperaturat të shkojnë edhe mbi 40 gradë. Më tej ajo tha se problematike këtë javë do të jetë edhe era. Që nga dita e sotme, në pjesën e dytë të ditës, e deri të premten, do të ketë forcimi të erës.
Shqipëria është krejtësisht në periferi të valës së të nxehtit, megjithatë është e ndjeshme. Ka pasur që ditën e djeshme një rritje temperaturash, deri në 38 gradë. Parashikohet që sot, nesër e deri të mërkurën, moti të jetë i nxehtë, duke bërë që të kemi temperatura të larta në gjithë zonat e ulëta. Temperatura të larta priten në Elbasan, Berat e zona të caktuara, si Ura Vajgurore, Gjirokastër, ku do të kemi sërish deri në 40 gradë ose edhe më lart.
Pritet që temperaturat e larta të na shoqërojnë në 15 ditëshin e parë të gushtit, ku vlerat do të jenë nga 36 deri në 39 gradë, ndërsa mbi 40 do të jenë vetëm në zona të caktuara. Dita e mërkurë pritet të sjellë rrebeshe shiu, që do të freskojë pak motin. Ditën e enjte do të kemi shi edhe në zonat jugore. Problematike këtë javë do të jetë edhe era. Që nga dita e sotme, në pjesën e dytë të ditës, e deri të premten, do të kemi forcimi të erës.