Që Roberti dhe Nora u ndanë ishte lajmi kryesor i ditëve të fundit, por që fansat të shkonin deri në këtë pikë nuk e kishim imagjinuar. Dy artistët e muzikës shqiptare i dhanë fund martesës së tyre disavjeçare para pak ditësh dhe sigurisht që postimi i Robert Berishës bëri bujë në mediat online.
Siç duket ky vendim nuk është pritur mirë nga ana e fansave të cilët së fundmi kanë organizuar një protestë kundër ndarjes së tyre. Në Facebook është krijuar një event me emrin “Protestë kundër ndarjes së Robertit me Norën dhe probleme të tjera”
“U ndanë Blero me Teutën, heshtëm. U ndanë 53 milionë për Bechtel Enken, heshtëm. U ndanë VV-ja, po ashtu heshtëm. Nuk mund ta përjetojmë edhe një tjetër ndarje. Andaj, të dielën, mblidhemi tek sheshi i heroit kombëtar, Zahir Pajaziti, për ta thyer heshtjen, dhe për t’i thënë JO NDARJES mes Robertit dhe Norës. “Pos kësaj JO-je të MADHE për ndarjen, ti themi JO edhe shumë problemeve në Kosovë.”, shkruhej aty.
Ndoshta mund t’ju duket shaka, por deri tani 3,800 njerëz janë të interesuar për këtë event.