Sigurohen paratë e nevojshme për shërimin e 5 vjeçarit vushtrrias

Ditë më parë u bë thirrje për ndihmë për shërimin e 5 vjeçarit nga Vushtrria i cili u diagnostifikua me leukemi akute.

Për shërimin e Menarit 5 vjeçar kërkoheshin 126 mijë euro, të cilat i ati i tij njoftoi se u siguruan.

Ai u shpreh tejet falenderues ndaj të gjithë atyre që kontribuan në mbledhjen e të hollave.

Njoftimi i plotë:

Shumë të nderuar familjarë, shoqëri dhe njerëz të vullnetit të mirë,

Dua të ju njoftoj se me ndihmën e Zotit të Madhërishëm, zemërgjerësisë, bujarisë dhe solidaritetit të pashoq të të gjithë juve, fondi i paraparë për Menarin , tashmë u sigurua.

Jam krejtësisht i pafjalë, në reagimin e shpejtë, empatinë dhe angazhimin tuaj. Ju dëshiroj të gjithëve një nga një, krejt të mirat e kësaj bote dhe dhashtë Zoti ua kthefsha për të mirë. Faleminderit nga zemra!

Për Menarin i bëtë të gjitha që qenë e mundur nga ana juaj. Brengën dhe sfidën shumë serioze financiare, na hoqët ju, tash na mbetet të mbështetemi te Zoti dhe mjekësia, e të shpresojmë për më të mirën.

Menari ju përqafon shumë dhe ju premton se shpejt do të kthehet i shëndetshëm në mesin tonë!