Këshillat më të fundit që japin mjekët për të shmangur sëmundjet e stomakut, aparatit tretës dhe zorrëve.
Kurat popullore për sëmundjet e zorrëve
Sëmundjet e zorrës, që prekin si funksionin sekretor, ashtu edhe atë lëvizës të këtij organi, mund të jenë pasojë e ndryshimeve lokale në mbulesën e mukozave dhe neuroreflektore (me anën e nervave) dhe humorale (me anën e substancave që gjenden në gjak).
Ndryshimet kryesore që vihen re në këtë trakt mund të përmblidhen si: në pakësimin ose shtimin e sekretimit të gjëndrave të zorrës, që ndikon në procesin e tretjes dhe të thithjes së substancave të ndryshme nga zorrët; në pakësimin ose shtimin e lëvizjes (peristaltikës) së zorrës si pasojë e ndryshimeve nervore ose muskulore në to; në çrregullimet nga parazitët ose mikroorganizmat, të cilët mund të shkaktojnë këto gjendje patologjike: tretje të ushqimit me vështirësi të shoqëruara me grumbullimin gazesh, meteorizëm; acarim, katar të mbulesës mukozë të zorrës të shoqëruar me dalje jashtë të shpeshta ose me heqje barku, diarre, kapsllëk (konstipacion) të shoqëruar me dhembje të anës së majtë ose të djathtë të barkut, zhvillim të parazitëve dhe të mikrobeve, të cilat dëmtojnë mukozën, helmojnë organizmin me produktet e tyre jetësore ose shkaktojnë mahisjen (inflamacionin) e mbulesës mukoze, që shoqërohet me dhembje, heqje barku ose kapsllëk.
Mahisja ose pezmatimi i zorrës së hollë (enteriti)
Mund të shkaktohet menjëherë ose pas një kohe të gjatë nga agjentë të ndryshëm patologjikë. Ajo shoqërohet me dhembje, heqje barku, fryrje të zorrëve nga gazrat dhe çrregullime të tjera. Në këto raste është e domosdoshme dieta dhe përdorimi i barnave që pastrojnë zorrën, sepse ato ndihmojnë në shpejtimin e shërimit.
Në mjekimin e mahisjes së zorrës së hollë ndihmojnë bimët që përmbajnë mucilagje e pektina, si mollët e grimcuara hollë dhe çajrat e ngrohta në vend të ujit, që përgatiten me tërshërë, oriz, karotë, salep, elb, etj. Por bimët, nga të cilat fitohen çajrat kundër enteritetit, duhet të përmbajnë para së gjithash, taninë, të cilat me efektin e tyre rrudhës lidhen me shtresën proteinike të mukozës duke formuar një cipë mbrojtëse. Ato jo vetëm që mbrojnë zorrën, por edhe ulin pezmatimin, duke ngushtuar enët e gjakut.
Gjithashtu, shfrytëzohen edhe bimët me vajra të etershme e me substanca azulenike që kanë veti të efektshme kundër pezmatimit (antiinflamator). Në mjekësinë popullore dhe shkencore takojmë një radhë bimësh, të kombinuara ndërmjet tyre ose jo, për mjekimin e enteritetit, si: ftoi, mushmolla, thana, kulumbria, gështenja, boronica, arra, bar pezmin njëmijë fletësh (bishtamithi), trëndafili i egër, hudhra, luleshtrydhja, bargjaku, manaferra, mendra, trumza, sherbela, shega, vidhi, tërfili i livadheve, etj.
Mahisja e zorrës së trashë (koliti)
Mahisja e mukozës së trashë mund të shkaktohet gjithashtu menjëherë ose pas një kohe të gjatë. Ajo mund të shoqërohet me heqje barku, diarre, e cila shpesh kthehet në kapsllëk. Diarreja shpesh është me shkumë, e cila në raste më të theksuara, del e përzier me gjak me pjesë të patretshme ushqimi dhe me copëza nga mukoza e zorrës.
Ndryshe nga koliti i menjëhershëm akut, forma e zgjatur kronike është proces që mjekohet me vështirësi dhe ngadalë. Dieta edhe në këtë sëmundje ka rëndësi të veçantë dhe si rregull, duhet përdorur ushqimi i lehtë që asimilohet shpejt dhe që nuk formon shumë celulozë. Mjekimi i kolitit bëhet, në radhë të parë, me bimë mjekësorë që përmbajnë taninë me veprim antiseptik (fenole dhe polifenole), me bimë me esenca që kanë veprim antiinflamator dhe ato me mucilagje dhe pektina.
Çajet që përdoren për mjekimin e kolitit duhet të merren për një kohë të gjatë, për një efekt më të mirë. Një lloj çaji duhet të zëvendësohet herë pas here me një lloj tjetër. Çaji mund të përzihet me lëngje frutash për të rregulluar shijen e tij. Për mjekimin e kolitit ka dhënë rezultate të mira kura me bar majasëlli (Teucrium polium), e cila vazhdon 20 ose 30 ditë. Bari i majasëllit jep gjumë.
Heqja e barkut (diarreja)
Diarreja është dukuri që sjell shumë sëmundje akute apo kronike, prandaj suksesi i mjekimit të saj lidhet ngushtë me mënjanimin e shkaktarit. Nganjëherë diarreja kalon shpejt dhe lehtë, duke respektuar regjimin e dietës dhe përdorimin e kurës përkatëse. Vëmendja e veçantë i duhet kushtuar diarresë dhe barkut të fëmijëve të moshës së gjirit gjatë verës, të cilët disa herë janë vdekjeprurës për ta.
Marrja e lëngjeve duhet të konsiderohet si një masë e rëndësishme mjekimi, veçanërisht në formën e çajrave bimorë që përmbajnë, për shembull: mendër, kamomil, çaj kinez, mollë, etj; dhe shumë bimë të tjera që përmbajnë taninë, mucilagje e pektina, ndërmjet të cilave vendin e parë e zënë sythat (majat e kërcejve) dhe gjethet e manaferrës, boronica, hithra, lulebasani, bargjaku, rigoni, hudhra, thana, sherbela, bar pezmi, bishtamithi, kulumbria, vidhi, shega, etj. Përvoja ka treguar se edhe kurat popullore kanë dhënë rezultate të shkëlqyera në shërimin e shumë sëmundjeve.
Disa prej kurave të përgatitura me bime mjekësorë përdoren edhe për shërimin e sëmundjeve të barkut. Mjekët rekomandojnë që në dietën e përditshme të mos mungojnë asnjëherë ushqimet e pasura me hekur, si mish, peshk, shpretkë, vezë, perime, fruta, etj.
Kapsllëku (konstipacioni)
Edhe kjo dukuri është pasojë e ndikimit të faktorëve të ndryshëm në organizëm. Kapsllëku vjen si pasojë jo vetëm e sëmundjeve të zorrës së trashë, por edhe e organeve të veçanta dhe të organeve në tërësi.
Shpesh ai shkakton lindjen e migrenës dhe të dhembjeve të kokës, dobësi të përgjithshme, shqetësime dhe vështirësi e dhembje në bark, etj. Respektimi i regjimit dietetik duke marrë ushqim të pasur me celulozë (barishte) dhe duke bërë lëvizje, gjimnastikë, ecje të gjata dhe shëtitje në ajër të pastër është faktor që parandalon lindjen e kapsllëkut. Për të luftuar kapsllëkun mund të përdoren bimë të ndryshime që përmbajnë glukozite antrakinonike, siç janë drunakuqi, pastaj bimë me mucilagje si mëllaga, liri, kulumbria, etj; të cilat jepen të vetme ose të kombinuara në formë çaji.
Kundër kapsllëkut arrihen rezultate të mira edhe duke përdorur komposto kumbullash, lëng lakre të shtrydhur, lakër turshi, etj. Në rast se dhembjet e barkut bëhen të shpeshta, mjekët këshillojnë përdorimin e frutave të freskëta që përmbajnë vitaminë C, e cila ndihmon në absorbimin ose marrjen e hekurit. Nëse pimë kafe, çaj, kakao apo edhe lëngje të tjera që përmbajnë kafeinë, duhet t’i marrim dy orë para ose pas ushqimit, sepse vështirësojnë absorbimin e hekurit.