Shtëpia fantastike, ndërtohet për 24 orë dhe kushton vetëm 10,000 €

Me ndihmën e teknologjisë dhe printimit 3D, organizata jofitimprurëse New Story ka arritur të jetë një hap më afër qëllimit historik, të ndërtimit më të shpejtë dhe më të lirë të shtëpive në botë.

Me qëllimin që t’i jepet fund dukurisë së familjeve të pastreha, kjo organizatë ka bashkëpunuar me ICON të Teksasit për të ndërtuar shtëpi mahnitëse të printuara në 3D.

Këto shtëpi mund të ndërtohen me burime minimale dhe janë të sigurta.

Pra, tani është mundësia që të ndërtohen shtëpi të sigurta dhe me kosto të përballueshme për familjet që nuk kanë para për të ndërtuar një shtëpi.

Teknologjia e re po mposht ndërtimin e banesave me teknikat konvencionale që përdoren sot.

Një shtëpi si kjo që shihni, kushton vetëm 10 mijë euro ose 1.2 milionë lekë dhe në të përfshihet ndërtimi dhe mobilimi.

Kompania shet të tilla shtëpi me çmime që nisin nga 3300 euro për rreth 70 metra katrorë dhe 5500 euro për rreth 100 metra. Nëse zgjidhni të keni dhe mobilimin, shtohen midis 6 mijë deri 8 mijë euro më shumë.

Printeri, i quajtur Vulcan, është krijuar për të funksionuar pikërisht për prodhimin e shtëpive shpejt dhe me kosto të ulët në vendet që kanë nevojë.

Aktualisht po korr sukses në Haiti dhe El Salvador, ku energjia ende është e paparashikueshme, uji nuk është i garantuar dhe mbështetja teknike është e pakët.

Printeri është projektuar për të ndërtuar banesa me kosto të përballueshme për grupet vulnerabël duke lënë mënjanë etjen për të fituar.

Por disa shtete po porosisin të tilla shtëpi edhe për raste emergjente. Në SHBA, disa shtete kanë blerë të tilla shtëpi, po ashtu në Meksikë dhe vende të tjera. Blerja e këtyre banesave po bëhet edhe nga vetë individët. /noa.al