Leonard Simon është një fotoreporter dhe gazetar nga Gjermania, i cili përgjatë muajit Shtator ka vizituar Shqipërinë në kërkim të shqiptarëve dikur azilant në Gjermani. Qëllimi I tij është dokumentimi I historive personale të këtyre ish-azilantëve, por teksa viziton vendin tonë ai ka gjetur edhe shtëpinë e tij të ardhshme.
Në një intervistë për “Abc e Pasdites”, Simon shpreh se Shqipëria është vendi ideal për të rritur një fëmijë.
“Jemi dashuruar me këtë vend. Ne e kemi konsideruam shpërnguljen këtu edhe përpara se të lindnim djali. Të jesh këtu është shumë më e lehtë nga aspekti social për fëmijën. Njerëzit janë kaq të dashur me djalin tonë dhe ai do rritej ndryshe këtu” , tha për kamerën e Abc News fotoreporteri gjerman.
Kjo është vizita e tij e katërt në vendin tonë dhe sipas tij, mes dy kulturave gjermane dhe asaj shqiptare ka shumë diferencime veçanërisht në aspektin social.
“Aspekti i familjes është shumë më ndryshe nga Gjermania. Ju keni më shumë ndërveprim me njëri-tjetrin. Duke qenë se unë kam një fëmijë të vogël, njerëzit janë më miqësor më fëmijët. Edhe me beben time. Ai luan, vrapon, njerëzit gëzohen kur e shohin. Në Gjermani bezdisen”, komentoi Simon nga Mynih.
Por sipas tij ka dhe aspekte negative të jetës në Shqipëri, ku ndër të tjera ai shton:
“Ndonjëherë më duket se ju nuk po e respektoni kulturën tuaj dhe po largoheni nga traditat tuaja duke shkatërruar ndërtesat e vjetra dhe për pasojë të shkuarën tuaj. Mos bëni gabimet që ka bërë Gjermania dhe vende të tjera europiane.”
Simon ka qëndruar disa javë në Shqipëri duke dokumentuar histori të ndryshme personale. Ai gjithashtu tregoi se për shkak të vizitave të shpeshta dhe marrëdhënieve të punës, bashkëshortja e tij ka mësuar gjuhën tonë duke e bërë një urë lidhëse dhe një arsye më tepër për një shpërngulje në të ardhmen.