TIRANË- Mësohen fakte të reja rreth jetës së Gert Shehut, të riut që qëlloi Berishën me grusht.
Miku i tij, Vilson Mema, është personi me të cilin i riu Gert Shehu i cili sulmoi me grusht një ditë më parë Sali Berishën ka pasur kontakte të vazhdueshme në jetën e përditshme. Në një interviste për MCN, Mema ka bërë të ditur se Gerti ishte një person që ka interes dhe nevojë për para dhe për ti siguruar ato bënte punë të shumta deri te shpërndarja e picave.
Ai tha se Shehu është një person që nuk ka sjellje agresive, s’ka raporte të shumta me lagjen, kjo e fundit e ka distancuar, por që herë pas here kishte prirje për devijime të sjelljes së tij.
“E njoh Gert Shehun, jetojmë në një lagje. Dje po shihja situatën, e pash dhe se mendova se do arrinte në atë lloj grade. Kontakti i fundit që kam pasur me Gertin është pak a shumë para 10 ditësh. Në lagje atë e kanë diferencuar të gjithë, nuk është agresiv, nuk bën sherre, por mbase ngaqë merret me spiunllëqe. Kishte nevojë për para, nuk ka pas mbështetje financiare. Gjesti i djeshëm mund të jetë i shtyrë dhe për këtë arsye. Prej 2 vitesh frekuentonte xhaminë, ishte punëtor dhe kërkonte vazhdimisht punë. Kishim shoqëri në lagje, për të kujdeset nëna e vet, ajo i blinte veshje dhe i jepte lekë. Nuk di nëse ka motra dhe vëllezër. Mendoj se ana psikologjike ka qenë shtysa e atij veprimi. Nga bisedat e mia me Gertin di se ai punonte si shpërndarës picash me motor.”-tha shoku i tij.
Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.