Sfungjerët e enëve përmbajnë më shumë baktere se edhe ndenjësja e tualetit. Sipas mikrobiologëve, sendet që përdorni për të pastruar enët e kuzhinës janë ndër objektet më të ndotura në shtëpi.
Një studim i fundit, i publikuar tek revista Scientific Reports, sugjeron se sfungjerët e enëve, të cilët strehojnë me miliona baktere nëse nuk i zëvendësoni shpesh, mund të jenë më të rrezikshëm për shëndetin sesa e kemi menduar.
Prandaj ekspertët rekomandojnë që t’i zëvendësoni të paktën një herë në javë.
Hulumtuesit shkencorë kryen një analizë gjenetike të baktereve në 20 mostra nga 14 sfungjerë të përdorur.
Kuzhina është vendi ku strehohen më shumë baktere të reja, si nga numri i madh i njerëzve ashtu edhe nga përgatitja e ushqimeve.
Sfungjerët, lagen e thahen shpesh dhe përmbajnë gjurmë të ushqimeve, prandaj janë vendstrehimi i duhur për bakteret.
Qëllimi i këtij studimi nuk ishte të gjente patogjenet, që sëmurin njerëzit, por çfarë strehohet në sfungjerët e enëve.
Përgjigjja? Shumë më shumë gjëra seç e keni imagjinuar. “Studimi tregon se sfungjerët e kuzhinës strehojnë një diversitet më të madh bakterial seç e kishim menduar më parë”, shkruajnë autorët e studimit.
Ata zbuluan se 5 nga 10 grupet më të zakonshme bakteriale kanë potencial patogjenik, që do të thotë se mund të shkaktojnë infeksione të ndryshme.
Edhe pse mund ta lani mirë sfungjerin pas përdorimit, shkencëtarët sugjerojnë një zëvendësim të rregullt të tij, për shembull, çdo javë.