Sëmundja e heshtur që çon në kancer të mëlçisë nga mjekja Albana Duni

Zverdhja e lëkurës dhe syve, urinë e errët, lodhje, të vjella dhe dhimbje barku. Janë këto disa nga simptomat me të cilat manifestohet hepatiti B. Ato zgjasin vetëm pak javë, por janë tregues se diçka nuk shkon mirë, ndaj edhe nuk duhet të nënvlerësohen.

Sipas mjekes gastrohepatologe Albana Duni, në jo pak raste kjo sëmundje nuk shfaq asnjë shenjë. Kjo e bën edhe të vështirë diagnostikimin në fazat e hershme, për rrjedhojë edhe pasojat do të jenë të pakthyeshme.

Hepatiti B mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë që më vonë çon në cirrozë ose kancer të mëlçisë, ndaj është shumë i rëndësishëm parandalimi dhe trajtimi i hershëm. Por çfarë është hepatiti B, nga se shkaktohet dhe si duhet të mbrohemi? Doktoresha jep përgjigje për të gjitha këto pyetje. “Hepatiti B është një infeksion potencialisht kërcënues që shkaktohet nga virusi i Hepatitit B. Për fat disponohet vaksina që nga viti 1982. Kjo vaksinë është 95% efektive në parandalimin e infeksionit dhe të sëmundjes kronike dhe kancerit të mëlçisë gjatë hepatitit B”, bën me dije mjekja gastrohepatologe. Rreziku për shfaqjen e sëmundjeve kronike, varet nga mosha kur është infektuar personi.2140121

Zakonisht fëmijët nën 6 vjeç, të infektuar me hepatit B mund të zhvillojnë infeksion kronik. Probabiliteti, veçon Duni, është gati 80 deri në 90 për qind nëse infektimi ndodh në vitin e parë të jetës. Ndërsa tek të rriturit mundësia për zhvillimin e infeksionit kronik reduktohet me 5 për qind. Çfarë përbën shqetësim është fakti që rreth 30 për qind e të rriturve me infeksion kronik B priren të zhvillojnë cirrozë ose kancer të mëlçisë. Në mënyrë të detajuar, doktoresha sqaron më tej rrugët e transmetimit të virusit, parandalimin dhe metodat e trajtimit.

TRANSMETIMI

Virusi i hepatitit B mund të jetojë jashtë trupit për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe virusi mund të shkaktojë infeksion nëse futet ne trupin e një personi të pavaksinuar. Periudha e inkubacionit të virusit Hepatit B (që nënkupton hyrjen në trup të virusit deri në shfaqjen e shenjave) është rreth 75 ditë, por mund të variojë nga 30 deri në 180 ditë. Virusi mund të zbulohet 30 deri ne 60 ditë pas infektimit dhe mund të persistojë dhe të zhvillojë hepatitin B kronik. Në vendet me endemi të lartë, hepatiti B përhapet nga nëna tek fëmija gjatë aktit natyral të lindjes (transmetimi perinatal) ose infektimi me gjakun e infektuar (transmetimi horizontal, sidomos nga një fëmijë i infektuar te një fëmijë i painfektuar gjatë 5-vjeçarit të parë të jetës.

Hepatiti B gjithashtu përhapet nga ekspozimi perkutan ose mukozal ndaj gjakut të infektuar, ose likideve të tjera të trupit si pështyma, lëngu seminal dhe vaginal, dhe menstruacionet. Transmetimi seksual i hepatitit B mund të shfaqet te homoseksualet dhe heteroseksualet me partnerë të shumtë. Hepatiti B mund të transmetohet edhe nëpërmjet shiringave dhe ageve gjatë procedurave kirurgjikale dhe stomatologjike, tatuve dhe pearcing.

PARANDALIMI

Vaksina e hepatiti B është kryesorja në parandalimin e hepatitit B. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të gjithë të porsalindurit të vaksinohen që në 24 orët e para të lindjes. Incidenca e ulët e hepatitit kronik B te fëmijët nën 5 vjeç është atribut i përdorimit të gjerë të vaksinës së hepatitit B. Vaksinimi indukton prodhimin nga organizmi të antitrupave mbrojtës. Mbrojtja nga vaksinimi zgjat të paktën 20 vjet ose dhe gjithë jetën. Kështu që WHO nuk rekomandon skemë tjetër vaksinimi për personat që i kanë bërë të tre dozat e vaksinës. Fëmijët dhe adoleshentët nën 18 vjeç që nuk janë vaksinuar, duhet të vaksinohen nëse në vendin e tyre ekziston një shkallë endemie. Gjithashtu grupet e riskut për infeksion nga hepatiti B duhet të vaksinohen.5214

DIAGNOZA

Nuk është e mundur që në aspektin klinik të dallojmë hepatitin B nga hepatitet e shkaktuara nga agjentë të tjerë viralë, por nga ana tjetër konfirmimi laboratorik i diagnozës është esencial. Një numër analizash gjaku përdoren për diagnozën dhe monitorimin e personave me hepatit B. Ato mund të për doren për të ndarë infeksionin akut nga ai kronik. Diagnoza laboratorike e infeksionit nga hepatiti B fokusohet në zbulimin e antigenit HBsAg. Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) rekomandon që të gjithë donatorët (dhuruesit) e gjakut të testohen për hepatit B, duke evituar kështu transmetimin aksidental të hepatitit B nëpërmjet gjakut dhe produkteve të tij. Infeksioni akut nga virusi B karakterizohet nga prezenca e AgHBs dhe antitrupat e imunoglobulinës M (IgM) të kores së antigjenit.

Gjatë fazës fillestare të infeksionit pacient është gjithashtu seropozitiv për antigenin e hepatitit B (HBeAg). Ky antigen (HBeAg) zakonisht është një marker që tregon shkallën e replikimit (zhvillimit) viral. Prezenca e HBeAg tregon se gjaku dhe likidet e trupit të një personi të infektuar kanë shkallë të lartë infeksioziteti. Infeksioni kronik me virusin e hepatitit B karakterizohet nga persistenca e HBsAg për të paktën 6 muaj, me ose pa HBeAg. Prezenca e HBsAg është një marker kryesor i riskut për zhvillimin me vonë të sëmundjes kronike të mëlçisë dhe të kancerit.

TRAJTIMI

Nuk ka ndonjë trajtim specifik për hepatitin akut B. Prandaj kujdesi lidhet me mbajtjen e balancës ushqimore dhe zëvendë- simin e likideve të humbura p.sh nga të vjellat apo diarrea. Infeksioni me hepatitin kronik B përfshin agjentet orale antivirale. Trajtimi synon ngadalësimin e procesit të cirrozës, redukton incidencën për kancer të mëlçisë dhe përmirëson jetëgjatësinë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) rekomandon përdorimin e trajtimeve oraletenofovir ose entecavir, sepse janë medikamentet më potente që supresojnë ose frenojnë virusin e hepatitit B.

Ato rrallë mund të çojnë në rezistencë medikamentoze, merren thjeshtë (1 tab në ditë) dhe kanë pak efekte anësore. Në disa persona trajtimi mund të mos shërojë hepatitin B, por të paktën ai frenon zhvillimin e virusit. Prandaj shumica e personave që fillojnë mjekimin kundër virusit B të hepatitit duhet ta vazhdojnë atë për gjithë jetën. Për fat të keq, shumë persona diagnostikohen në fazë të avancuar të sëmundjes së mëlçisë. Kalimi i infeksionit të hepatitit B në cirrozë dhe me pas në kancer kërkon një kohë të gjatë . Por kanceri i mëlçisë përparon shpejt, aq më tepër që opsionet e trajtimit janë të limituara kështu që dhe pritshmëria është e varfër. Kirurgjia dhe kimioterapia mund të sigurojnë një jetëgjatësi në pak vite. Transplanti i mëlçisë është një opsion tjetër, por me sukses të ndryshëm.