Një sallatë me rukola, të shoqëruar me djathin që pëlqeni, domate e vaj ulliri, është më e mira që mund të porosisni këto ditë në restorant apo të bëni vetë në shtëpi. Kur nuk është koha e spinaqit apo salltës jeshile, është rukola, edhe më me vlera ushqyese se dy të parat. Rukolën mund ta përdorni si salcë makaronash duke e shndërruar në salcë, mjafton ta kaloni në frulator me vaj ulliri, pak djathë grana, hudhër, stika pishe…
Nga Blerina Bombaj, dietologe
Kjo gjethe jeshile ka vlera të çmuara ushqyese. Në të gjenden fitokimikate të cilat mbrojnë kundër efektit kancerogjen të estrogjenit! Në këtë mënyrë ajo mbron kundër kancerit të gjirit, të vezoreve dhe të prostatës! Rukola është burim i pasur i:
-Acidit folik – tepër i rëndësishëm për zhvillimin e trurit të fetusit!
-Vitaminave B – të rëndësishme për sistemin nervor
-Vitaminës A, K – lidhen me shikimin dhe mpiksjen e gjakut përkatësisht
-Vitaminës C – antioksidues i fuqishëm
-Hekurit, kalciumit & Magnezit – minerale të rëndësishëm
A e dini se rukola hyn në të njëjtën familje me brokolin? Arsyeja përse rukola fiton pikë më shumë se spinaqi është se ajo përmban me pak oxalate, duke e bërë kështu kalciumin që ajo përmban më të përthithshëm për organizmin!