Reshje dëbore dhe temperatura të ulëta, ja si ndryshon moti për javën e ardhshme

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në javën që presim përpara, moti do të jetë kryesisht i kthjellët dhe me temperatura të ulëta.

Në këtë mënyrë dita e nesërme (e hënë) parashikohet me mot kryesisht të kthjellët e alternime vranësiarsh kalimtare. Në zonën e jugut, në orët e pasdites dhe mbrëmjes, priten reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët.

Duke filluar nga dita e martë, deri ditën e enjte, në orët e mbrëmjes moti parashikohet kryesisht i kthjellët me alternime vranësirash në relievet malore. Në orët e mbrëmjes së ditës së enjte parashikohen reshje shiu e dëbore me intensitet të ulët në zonën e Alpeve.

Dita e premte parashikohet me mot të vranët dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e mesatar në formën e shtrëngatave. Në zonën e veriut (konkretisht në zonën e veriperëndimit) në orët e mbrëmjes priten reshje me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive. Në relievet malore në lindje, në lartësitë mbi 800 metër, reshje dëbore.

Vlen për t’u theksuar gjithashtu se duke nisur nga dita e premte – për shkak të kalimit të disa qendrave të thella të presionit të ulët – parashikohet erë tepër intensive dhe e fortë në tokë, por veçanërisht përgjatë vijës bregdetare.