Një alternativë e shijshme dhe aromatike për të gjithë ata që pëlqejnë xhinxherin. Është pa sherbet, por ngjason pak me shëndetlinë.
Receta origjinale është e një shefi pastiçerie amerikan, David Lebovitz. Ka një modifikim tek përbërësit, është eksperimentuar me mjaltë në vend të melasës, megjithatë mund ta gjeni me pak përpjekje edhe në tregun tonë.
Përbërësit:
(tepsi rrethore alumini me diametër 23-25 cm):
Rreth 100 gr (ose 4-5 lugë gjelle) xhinxher i freskët i grirë hollë në rende,
1 filxhan çaji mjaltë,
gjysmë filxhan çaji sheqer ,
2 e gjysmë filxhanë çaji miell për çdo përdorim,
1 filxhan çaji vaj luledielli ose misri,
1 e gjysmë lugë çaji sodë buke,
1 lugë çaji kanellë e bluar,
gjysmë luge çaji karafil i bluar,
gjysmë luge piper i zi i bluar,
1 filxhan çaji ujë,
2 vezë.
Përgatitja:
Ndezim furrën në 180 gradë.
Pastrojmë xhinxherin nga lëkura me thikë ose me një lugë dhe e grijmë hollë në rende duke patur kujdes të heqim pjesët e fijëzuara. Përziejmë mjaltin, sheqerin, dhe vajin në një tas. Në një tas tjetër përziejmë miellin, kanellën, karafilin dhe piperin e zi.
E ziejmë ujin dhe pastaj e shtojmë ashtu të nxehtë bashkë me sodën e bukës dhe xhinxherin tek përzierja me mjaltë. I përziejmë mirë sa të tretet mjalti.
Shtojmë përbërësit e thatë pak nga pak dhe në fund shtojmë dhe dy vezët. I përziejmë të gjithë përbërësit mirë me një mikser dore ose me një rrahëse vezësh. Brumi del mjaft i lëngshëm.
E mbulojmë tepsinë me letër furre dhe e hedhim mbrumin në tepsi. Keku piqet për 50 minuta deri në 1 orë, deri sa kur ta shpojmë me një kruajtëse dhëmbësh ajo të dalë e thatë nga keku. E lemë të ftohet për rreth 20 minuta në tepsi dhe më pas është gati për t’u shërbyer.