Mëngjesi me briosh është bërë mjaft komod në ditët tona. Por tani ti mund t’i përgatisësh vetë, me shumë dëshirë, bashkë me fëmijët, për të gjithë familjen.
Për 15 copë rreth 100 gram secila, nevojiten: miell 400 gr, miell manitoba 600 gr (një lloj mielli që përdoret për kekë, biskota e ëmbëlsira. I bën ato më të buta sesa mielli normal i tipit 00. Në pamundësi mund të përdorësh dhe miellin 00), gjalpë 70 gr, qumësht 500 ml, mjaltë 70 gr, maja birre 50 gr, kripë 2 gr, sheqer 40 gr, (qumësht 15 ml dhe 1 vezë për lyerjen)
Brioshët mund t’i mbushësh sipas shijes: me marmelatë, reçel ose mjaltë, por edhe me djathë, proshutë e vezë.
Përgatitja: Fillimisht, ngroh qumështin në temperaturat 35-36°, pra të vakët. Në brumatriçe hidh miellin (të dy tipat), majanë e tretur në pak qumësht të ngrohtë, mjaltin, gjalpin në temperaturë ambienti, sheqerin, qumështin e ngrohur dhe kripën.
Fillo të punosh brumin, derisa masa të bëhet e njëtrajtshme. Lëre brumin në një enë përreth 30 minuta në temperaturë ambienti 24-25°. Më pas, ndaje brumin në copa 100 gr ose sipas dëshirës dhe formo me secilën shirita për t’i dhënë formën e një kërmilli ose çdo lloj forme sipas dëshirës.
Vendosi të gjitha format në një tepsi, ku më parë ke shtruar letrën e aluminit. Lyej brumin me vezën e rrahur me qumësht dhe lëre të vijë në temperaturë rreth 28° për 40-50 minuta (me furrën e fikur, por me dritë ndezur).
Nxirri edhe një herë nga furra dhe lyeji përsëri me vezën e rrahur me qumësht. Futi në furrën e ngrohur 200° për 20-25 minuta sapo të marrin ngjyrë të kuqërremtë./