Receta me e lehte e Trileçes.Pregatitet vetem ne 40 minuta dhe te lepini gishtat

Koha e përgatitjes – 40 minuta

Përbërësit për kekun: për tavë drejtkëndëshe 33×23 cm, nëse bëni gjysmën e dozës, përdorni tavë 23×17 cm.

6 kokrra vezë

200 g sheqer

200 g miell

1 bustinë vanilje

8 g sodë për ëmbëlsira

1 majë luge kripë

150 g gjalpë i tretur i vakët

Për kremin me qumësht:

400 g pana për ëmbëlsira

400 g qumësht i kondensuar (panda)

400 g qumësht me yndyrë

Duhen gjithashtu për ta dekoruar në fund:

Mund të përdorni karamel të gatshëm ose krem si më poshtë:

300 ml pana e ftohtë nga frigoriferi

200 g Mascarpone

3 lugë sheqer pluhur

1 lugë lëng limoni

250 g fruta pylli sipas dëshirës

Përgatitja:

Ndezim furrën në temperaturën 180°C.

Në një tas, hedhim me sitë miellin dhe sodën. I përziejmë me lugë druri dhe i lëmë mënjanë.

Keku:

Në robot ose me rrahësin elektrik të vezëve, rrahim vezët me sheqerin dhe vaniljen për 10 minuta. Shtojmë me lugë miellin me sodën dhe do t’i përziejmë me kujdes me spatul me lëvizje nga poshtë-lart, që brumi të marrë sa më shumë ajër. Hedhim kripën, gjalpin duke e rrjedhur, i përziejmë edhe një minutë me spatul dhe më pas brumin e hedhim në tavën që e kemi lyer me gjalpë e miell ose kemi shtruar letër pjekjeje.

E pjekim për 30 minuta ose derisa kur të bëjmë provën në mes të tavës me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër.

Kekun e pjekur e shpojmë me kruajtëse dhëmbësh në shumë vende në sipërfaqe derisa të takojë tavën poshtë. E lëmë mënjanë.

Përgatisim kremin me qumësht(mund ta përgatisim ndërkohë që keku piqet) Përziejmë me rrahësen e vezëve me dorë për 1 minutë qumështin me qumështin e kondensuar dhe panën.

Hedhim kremin me garuzhde mbi kekun e shpuar dhe jo shumë të nxehtë (të kenë kaluar 5 minuta që e kemi nxjerrë nga furra). Në fillim e hedhim në mes të tavës, pastaj anash dhe së fundi e derdhim mbi të gjithë sipërfaqen. E lëmë të ftohet plotësisht në temperaturë ambienti.

Dekorimi i ëmbëlsirës:

Në një tas përziejmë me pirun Mascarpone-n me sheqerin dhe lëngun e limonit. Rrahim me rrahësin elektrik ose në robot panën e ftohtë nga frigoriferi, por jo shumë të ngrirë dhe e bëjmë si marengë, e shtojmë te tasi ku kemi Mascarpone-n dhe e përziejmë me kujdes me spatul.

Kremin me Mascarpone e shpërndajmë mbi kekun në të gjithë sipërfaqen e tij pasi të ketë thithur kremin me qumësht, e mbulojmë me letër alumini dhe e ruajmë në frigorifer.

Është më e mirë të nesërmen. Ëmbëlsira është e lagësht aq sa duhet, po nëse e doni me më shumë krem, shtoni pak nga përbërësit e kremit të qumështit. Në momentin që do ta shërbejmë, shpërndajmë sipër frutat. Ruhet në frigorifer e mbuluar me letër alumini./living/