Kryeministri Edi Rama ishte këtë të enjte në shtëpinë e gruas 111 vjeçare, e cila ka pranuar të bëjë vaksinën kundër koronavrusit dhe kishte shprehur dëshirën për të takuar shefin e Qeverisë.
Në 10 maj 2021, Zenepe Pirani bën 111 vjeç.
“111 VJEÇ dhe tanimë e vaksinuar, mendja top e zemra e bardhë si bora – Jeta është vendi i mrekullive”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale ku ka publikuar dhe videon e takimit me gruan e moshuar.
“Mezi e ka pritur nënë Zenepja, mezi”, tha Manastirliu.
“Unë nuk të njihja por kur pashë që doje me më taku erdha”, i tha Rama gruas së moshuar.
“Nëna nuk ka pirë asnjë ilaç asnjëherë, një aspirinë në javë mund të pijë, ka pranuar të bëjë vaksinën, e ka bërë”, tha Manastirliu.
“Domethënë ti je si me lind unë prap sot edhe me u bo edhe një herë kaq”, tha Rama.
111-vjeçarja nga Podgorica me banim ne Shkodër, është qytetarja më e vjetër në moshë që ka marrë dozën e parë të vaksinën Pfizer.
Asgjë nuk e mposhti ketë grua që ka kaluar dy luftëra botërore dhe tashme dy pandemi botërore.
Përveç vaksinës, Zenepja ka marrë gjatë jetës së saj me shume se shekullore vetëm aspirinë, ndërsa për krizat e veshkave thotë se ka pirë vajguri.
Gjithmonë ka dashur të arsimohej, madje emocionohet kur e kanë pyetur më herët për shkollën dhe nuk mban dot lotët.
111-vjeçarja ka shprehur më parë dëshirën te votojë madje te takojë edhe Kryeministrin Rama.
Pengu me i madh që ka në zemer, sipas saj është që nuk lindi kurrë fëmijë, bashkëshorti iu nda nga jeta 20 vite me pare, sot te afërmit përtej kufirit paguajnë nje kujdestare per te.
111-vjeçarja erdhi nga Mali i Zi në Shkodër 97 vite më parë bashkë me 4 motrat e tjera dhe prindërit. Në moshë farë të re, 16 vjeçe u fejua dhe mbeti në Shqipëri, ndërsa pas luftës familja e saj u rikthye në Malin e Zi.