Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka vendosur objektivat për sulmin ushtarak kundër Ukrainës dhe ai do të vendosë se kur të përfundojë operacioni “bazuar në rezultate dhe përshtatshmëri”, tha të Enjten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Operacioni “ka qëllimet e tij dhe ato duhet të arrihen,” tha zyrtari, kur u pyet nga gazetarët se kur do të përfundonte ofensiva.
Në fjalimin e tij mëngjesin e së Enjtes, Putin tha se kishte urdhëruar trupat ruse të sulmonin Ukrainën për të çmilitarizuar dhe, siç tha ai, ta “denafizikojë”. Ai pretendoi se siguria kombëtare e Rusisë ishte komprometuar nga prania e NATO-s në Ukrainë.
Ai tha më tej se Rusia ishte e detyruar të mbronte republikat separatiste të Donetsk dhe Lugansk nga sulmet e vazhdueshme nga forcat ukrainase. Moska i njohu dy entitetet si shtete sovrane të Hënën.
Rusia është e vendosur të “neutralizojë potencialin ushtarak [ukrainas], i cili është rritur në mënyrë të konsiderueshme kohët e fundit, duke përfshirë edhe ndihmën aktive të kombeve të huaja”, tha Peskov.
Ai shtoi se “në mënyrë ideale” Ukraina duhet të “pastrohet” nga ideologjia neo-naziste.
Peskov hodhi poshtë deklaratat se Rusia ishte në procesin e pushtimit të Ukrainës, duke thënë se operacioni rus kishte synime të kufizuara për të mbrojtur Rusinë dhe rajonet separatiste. Ai tha se e ardhmja e Ukrainës do të përcaktohet nga populli ukrainas.
Ushtria ruse nisi një sulm masiv kundër Ukrainës me urdhër të Putinit menjëherë pas fjalimit të tij televiziv. Ministria e Mbrojtjes ruse tha se kishte në shënjestër elementë të infrastrukturës ushtarake ukrainase dhe kërkoi të shmangte viktimat civile.
Nga ana tjetër, Ukraina e ka cilësuar pushtim inkursionin rus.