Nikoll Lekndreaj është efektivi i policisë që humbi jetën gjatë stuhisë që përfshiu Shkodrën mbrëmjen e kaluar.
51-vjeçari, efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë po kthehej në shtëpi me motor, kur për shkak të reshjeve masive dhe mungesës së ndriçimit humbi kontrollin dhe përfundoi në kanal.
Banorët e zonës kanë treguar për mediat se kanali në fshatin Bardhaj, që derdhet në lumin Kir, mbrëmjen e kaluar ishte fryrë shumë dhe kishte arritur nivelin e rrugës.
Për këtë arsye 51-vjeçari nuk ka arritur ta dallojë kanalin dhe ka përfunduar në kanal.
Fqinjët e tij thonë se mbushja e kanaleve me ujë është problem i përhershëm pasi nuk pastrohen. Ndërsa 51-vjeçarin Lekndreaj e përshkruajnë si një njeri të respektueshëm dhe të rrallë.
“Koha ka qenë shumë e vështirë, ka qenë një stuhi e rrëmbyeshme shumë. Uji që ka kaluar në kanal ka qenë rreth 1 metër sipër asfaltit, mbi rrugë. Kanalet janë të papastruara. Njeri i mirë shumë, i respektueshëm.”
“Ka qenë për faqe të zezë. Problem nuk është i shiut, është i kanaleve. Niveli i ujit ka qenë 70 cm. Shumë djalë i mirë, janë të rrallë njerëzit si Nikolla.”