Një aksident i rëndë ka ndodhur orët e para të ditës së sotme në autostradën Tiranë-Durrës ku kanë humbur jetën dy pasagjere dhe është plagosur rëndë shoferi 26-vjeçar.
Sipas policisë dyshohet se drejtuesi i automjetit A.T, 26 vjeç, ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur me trafikndarësen.
Si pasojë e përplasjes dy pasagjeret që ndodheshin në makinë, 26-vjeçarja me iniciale S.T dhe një tjetër shtetase e paidentifikuar, kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë shoferi i automjetit ka mundur t’i mbijetojë përplasjes së fortë, por është transportuar në spital ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e shtetases tjetër që humbi jetën.