Shqiptarja 24-vjeçare me origjinë nga Kosova,, Blerina Kryeziu me banim në Treviso të Italisë është një tjetër viktimë e aksidenteve. Aksidenti në të cilin u përfshi e reja daton të premten e kaluar (18 Nëntor) në Olmi di San Biagio di Callalta, në via San Martino. Është një rrugë me ndriçim të zbehtë në të cilën Blerina zakonisht ecte për të mbërritur në vendin e saj të punës, restorantin aty pranë “Da Silvano”, ku punonte si kamariere.
Por teksa ka qenë duke ecur, e reja është përplasur nga një mjet tip “Nissan Juke” që drejtohej nga një 68-vjeçar. Makina e goditi atë nga pas dhe e përplasi duke e hedhur dhjetra metra larg.
24-vjeçarja shqiptare u dërgua me urgjencë në spital dhe u shtrua menjëherë duke u mbajtur nën kujdes intensiv. Por fatkeqësisht, Blerina nuk mundi t’i rezistonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë mëngjesin e së hënës.
Humbja e 24-vjeçares ka shkaktuar një dhimbje të madhe tek familjarët e saj si dhe tek bashkëshorti, Blerimi. Të dy ishin martuar në Kosovë vetëm 4 muaj më parë dhe bashkëshorti i saj ishte gati që të transferohej në Itali. E reja shqiptare prej 3 vitesh punonte në restorantin “Da Silvano”. Restoranti është mbyllur në shenjë zie dhe do të qëndrojë i tillë deri ditën e varrimit të Blerinës. “Corriere” shkruan se nuk përjashtohet mundësia që trupi i 24-vjeçares, të transportohet në shtëpinë e saj në Koosvë.
Ndërkohë, agjentët e policisë rrugore të Trevisos kanë kryer konstatimet e rastit duke i nënshtruar shoferit testin e alkoolit, i cili rezultoi negativ. Ndaj tij do të hapet një hetim për vrasje me makinë.