Nënë e bijë janë plagosur këtë të shtunë në Fushë-Kosovë teksa ishin brenda veturës, ndërsa i dyshuari për këtë rast është identifikuar nga policia dhe i njëjti është në kërkim.
Klankosova nga burime të veta brenda Policisë merr vesh se rasti ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësore
Të dy viktimat janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës teksa nëna, e lindur në vitin 1959, është duke kryer një intervenimi kirurgjik si pasojë e plagëve të marra në stomak dhe në ekstremitete.
Kurse e bija e saj, e lindur në vitin 1979, ka marrë lëndime të lehta në duar.
Kujtojmë se për kapjen e të dyshuarit janë duke punuar ngusht Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe Policia teksa mbi të rëndojnë veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
“Ne koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sigurimit të prezencës së të dyshuarit në procedure penale, si dhe për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë./Gazeta10