Nëna e të riut, Genti Isai, i cili ndërroi jetë pasi piu ilaçet që mori me rekomandim të stomatologut për dhëmballën, ka rrëfyer momentet e fundit të 32-vjeçarit.
Ajo rrëfeu se i biri kishte pirë një ilaç pluhur në Ersekë dhe më pas kur është kthyer në shtëpi edhe 3 kokrra të tjera, sipas rekomandimit të stomatologut.
Sipas nënës, Shega Isai, djali ishte mirë kur u kthye në shtëpi madje po qëndronte në ballkon e pyeti të ëmën a i kishte mbaruar punët me bagëtitë.
Ajo tregoi se nuk qëndroi as 5 minuta jashtë dhe kur u fut në banesë e gjeti të riut të shtrirë dhe nuk i përgjigjej thirrjeve të saj, ndërsa kur i kapi duart i kishte “akull të ftohta”. Ata e nisën të riun me makinë drejt spitalit ndërsa rrugës janë hasur me ambulancën.
“Piu 3 kokrra që i kishin dhënë. Atë me pluhur e kishte pirë që në Ersekë, derisa erdhi këtu ishte bërë keq, djersinte. Nga ai ilaçi me pluhur duhet ta ketë. Sa zbriti nga makina erdhi u zgjua se ishte bërë ujë në djersë, ai ishte i sëmurë. Kur erdha nga lopët, djali po rrinte në ballkon, më foli dhe më tha ‘a mbarove andej’. Sa hoqa çorapet dhe i hodha bukë qenit, as 5 minuta nuk ndjeta jashtë, kur hyra në kuzhinë djali ishte shtrirë atje, i thirra o Genti o Genti, e kapa nga duart ishte bërë akull. Nuk mu përgjigj, dola thirrja komshinjve që të merrnin djalin ta dërgonin në Ersekë. Rrugës janë ndeshur me ambulancën. Sa ka lindur dhe deri tani që u bë 32-vjeç s’ka bërë asnjë gjilpërë, vetëm gripi e kapte ndonjëherë. Të mërkurën ishte në punë. Të zbardhet e drejta”, tha nëna.
Vdekja e 32-vjeçarit
I riu ka pasur shqetësime mëngjesin e së premtes (23 dhjetor) me dhëmballën dhe ka shkuar tek stomatologu, ku mori dhe recetën e qetësuesve.
Pas marrjes së mjekimeve në farmaci, ai është rikthyer në banesë. Pak orë më vonë, 32 vjeçari nuk është ndjerë mirë në banesë, dhe ka qënë babai i tij që ka lajmëruar ambulancën.
Gjatë transportimit, mësohet se i riu ndërroi jetë. Deri më tani nuk dihen shkaqet e vdekjes, teksa pritet të kryhet autopisa për të riun.
Informacioni i policisë
Sot, rreth orës 17:00, në fshatin Kagjinas, Kolonjë, në banesë, ka ndërruar jetë shtetasi G. I., rreth 32 vjeç. Nga këqyrja e jashtme e trupit të 32-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.