Shqiptaret po zgjedhin alternativën më të lehtë kur vjen puna tek martesa. Të rinjtë sot gjithnjë e më shumë zgjedhin mos të martohen ose ta shtyjnë sa më shumë këtë vendim. Shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se martesat në vend kanë shënuar një ulje historike gjatë vitit 2021 ku u lidhën 19 mijë e 700 martesa, 15% më pak se viti 2018.
Me përjashtim të vitit të pandemisë, ku për shkak te kufizimeve pak shqiptare u martuan, 2021-i është periudha me martesat më të ulëta pas viteve 90. Tirana, metropoli me mbi 900 mijë banorë numëroi vetëm 5.7 martesa për 1000 banorë duke u renditur qarkun me numrin me të vogël të martesave në Republikë e ndjekur nga Vlora Korça e Gjirokastra, rekordin për lidhjet në kurorë e mban Lezha me 10.6 martesa për 1000 banorë e ndjekur nga Berati e Dibra.
Profesor Edmond Dragoti, studiues i njohur i psikologjisë sociale shprehet se emigracioni masiv i të rinjve dhe tendenca për ta shmangur martesën duke mos e konsideruar të rëndësishme pjekurinë sociale dhe dëshira për të provuar sa më shumë lidhje me partnerë të ndryshëm janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në uljen e numrit të martesave.
“Emigracioni masiv i të rinjve është faktori kryesor që ul peshën specifike të martesave. Tirana shquhet për nivelin e martesave ku në fakt është qytet me aktivitet e me frymëzim, por këtu ndikojnë faktorë kulturorë. Tek brezi i ri ka nisur një tendencë e re, ata shmangin martesën edhe pse janë me fëmijë, e konsiderojnë si element formal e me shumë detyrime. Nuk ka një qëndrueshmëri, pasi është zbehur përgjegjësia sociale. Brezi i ri nuk e konsideron pjekurinë e vet sociale si shumë të rëndësishme, pasi do të provoje shumë lidhje, provon bashkëjetesën etj”-, u shpreh profesor Dragoti.
Por për qytetarët ekonomia e dobët dhe kushtet e pasigurisë financiare janë shkaqet kryesorë që shqiptarët po martohen gjithnjë e më pak. “Është pasiguria financiare dhe varfëria”, shprehet një qytetar. Sipas INSTAT në vitin 2021, mosha mesatare në martesë për burrat ishte 31.2 vjet ndërsa mosha mesatare në martesë për gratë ishte 27.7 vjet./