Vetëm pak ditë më parë, këngëtarja e njohur Marjona Metohu zbuloi përmes një videoje emocionuese gjininë e fëmijës së saj të parë. Së bashku me partnerin, Taulant, Marjona ndau me të gjithë miqtë virtualë lajmin e bukur se së shpejti do të bëhet nënë e një djali dhe për këtë të dy janë shumë të lumtur.
E ftuar pasditen e sotme në “Rudina”, në Tv Klan, këngëtarja ndau me publikun edhe disa detaje emocinuese që i kishin shoqëruar dy prindërit në pritje gjatë kohës që ata ende nuk e dinin se ç’gjini do të kishte fëmija i parë.
Siç tha Marjona, Maldivet kanë qenë për lidhjen e saj të dashurisë një destinacion shumë domethënës, meqenëse edhe pushimet e para çifti i ka bërë në këtë vend. Ndaj edhe në pushimet e tyre dimërore këtë vit, zgjodhën që gjininë e fëmijës ta zbulonin pikërisht në Maldive.
Kushdo që e ka parë videon e këngëtares, me siguri e ka kuptuar se më entuziast aty është partneri, Taulanti, i cili, siç tha Marjona, është tipik shqiptar, sepse që në fillim kishte bindjen se do të bëhej baba i një djali. Madje, kjo bindje ishte aq e fortë sa ai kishte vendosur edhe emrin me të cilin do ta pagëzojnë djalin.
“Emri është menduar fiks që kur babi ka thënë që do të kemi një djalë bashkë, e kishte menduar edhe emrin. “Do jetë djalë dhe do ketë këtë emër”. E kemi ndarë mendjen dhe duam që djali të quhet Matias. Kur ia kam thënë mamit, ka thënë “o sa mirë, paskeni bashkuar emrat tuaj, Marjona, Taulant”. Vetëm aty na ra në mend të dyve që ky emër është deri diku një bashkim i emrave tanë. Ai do thoshte “ishte shenjë për të qenë djalë”.
Marjona tregoi edhe se si është njohur me Taulantin, në kohën kur ajo këndonte në live në Tiranë.
“Jemi njohur para dy vitesh në një lokal ku unë këndoja. Ai organizonte shpesh festat e punës, pasi ka një kompani të vetën prej vitesh. Një natë të bukur, ndodhi që ka qenë dhjetor, me sa më ka treguar ai, se unë nuk e kam vënë re këtë gjë, ka qenë vazhdimisht me një gotë në dorë duke më parë duke kënduar në skenë, ishte komplet i përqendruar. Në atë moment vjen pronari i lokalit, sepse me atë njihej dhe i thotë: “Kujdes, mor djalë, se e hëngre me sy”. Ky i thotë “nuk qenka vetëm e bukur, po paska një zë shumë të bukur dhe po e shijoj”.
Kaq u desh që më pas të nisnin shkëndijat, bisedat, takimet dhe pastaj, në një kohë fare të shkurtër, edhe bashkëjetesa….