ELBASAN-Lëkundje tërmeti janë regjistruar pak çaste më parë në Shqipëri. Mësohet se epiqendra e tërmetit ka qenë në fshatin Mjekës, rreth 7 km larg Elbasanit, ndërsa lëkundjet janë regjistruar me magnitudë 4.1 rihter. Lëkundjet janë ndjerë në disa zona të vendit. Korrespondentët e ABC News raportojnë se tërmeti është ndjerë në Librazhd, Përrenjas, Steblevë, si edhe në Korçë.
Aktualisht nuk raportohet për pasoja dhe dëme materiale. Në një intervistë pak ditë më parë për Abcnews, sizmiologu Edmond Dushi tha se Shqipëria ka aktivitet sizmik, por se nuk është i rrezikuar drejtpërdrejt nga tërmeti i Turqisë pasi vendi ynë nuk ndodhet tek e njëjta pllakë tektonike.
“Ne nuk jemi në të njëjtën pllakë tektonike. Nuk kemi impakt të drejtpërdrejtë në territorin shqiptar. Aktiviteti sizmik në Shqipëri është i pranishëm”, tha ai./abcnews