Pak ditë më parë, Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi rastet e para të virusit të Nilit, i cili kthehet në Shqipëri pas 13 vitesh.
Një 63-vjeçar nga fshati Savër i Lushnjes është një prej të infektuarve të parë i cili e zbuloi virusin pasi shkoi në Greqi.
Skënder Delilaj, duke folur për mediat ka treguar se në shtetin grek i është nënshtruar një mjekimi të specializuar, pasi prej ditësh nuk i ulej temperatura.
“Ka që të shtunën, më dhimbte koka. Të dielën pasdite pastaj më dha një dhimbje koke të madhe dhe me temperaturë deri në 40”.
Edhe për mjekët grekë diagnostikimi i 63-vjeçarit me Ethet e Nilit ka qenë i vështirë pasi në fillimi shqiptari u dyshua se ishte i sëmurë nga konsumimi i bulmetit, por pas një analizë të bërë nga palca e pacientit u konfirmua që ishte i infektuar nga pickimi i mushkonjes dhe infektimi kishte ndodhur në periudhën që 63-vjeçari kishte qenë në Shqipëri.
Pas kësaj autoritetet në Greqi kanë njoftuar menjëherë Ministrinë e Shëndetësisë në Shqipëri.
“Shkova në spital në Greqi atje më shtruan, e zbuluan pas tre ditësh. Rashë si në koma”.
Banorët në Savër thonë se autoritetet kanë spërkatur zonën dhe se vetë ata po mundohen të marrin masat e nevojshme që të shmangin pickimet nga mushkonjat.
Duke qenë se të moshuarit janë më tepër të rrezikuar nga ky virus për shkak të sëmundjeve shoqëruese që kanë, ata kërkojnë që përveç ndërhyrjes nga autoritetet shëndetësore me spërkatje të vazhdueshme të nisë edhe një fushatë sensibilizimi për vetë banorët.