Një nga recetat më të thjeshta, të përshtashme për të gjithë anëtarët e familjes në këtë kohë virusesh na e tregon Diola Dosti. Nutricioniste dhe biologe, e njohur në Shqipëri dhe në Kosovë, sidomos për nismën e nisur rreth viti 2015 me emër ‘Mësimet e Diolës’, një platformë më këshilla për një regjim të shëndetshëm ushqimor.
Diola është nënë e tre vajzave të mitura dhe receta që ndan me ne është e përshtatshme dhe për më të vegjëlit, pikërisht për rritjen e sistemit imunitar. Hudhra dhe mjalti janë dy përbërisit që të gjithë ne kemi në shtëpinë tonë dhe që duke u kombinuar me njëri- tjetrin do të jenë aleati ynë më i mirë.
‘Hudhra është e pasur me alicinë, me oksigjen dhe sulfur i cili ka veçori antibakteriale. Mënyzra më e mirë e përdorimit të hudhrës është prerja e saj në njësi më të vogla”. Diola shpjegon që “qërimi i hudhrës apo grimcimi i saj shoqërohet me atë erën karakteristike që tregon që është duke u çliruar përbërësi i saj aktiv, alicina. Hudhra përmban gjithashtu acidin kiolinik që ngadalëson proçesin e plakjes, por dhe përmirëson memorien. Forma më e mirë e përdorimit të saj- mbasi e kemi prerë në njësi më të vogla- është pritja e rreth 10 minutave, para se ajo të bashkohet me ushqimin tjetër, në mënyrë që të çlirohen sasi më të mëdha të përbërësve të saj.’’
Mbas prerjes, hudhrat vendosen në një enë të mbushur me mjaltë, një ushqim i njohur për vetitë e mëdha antioksidante. Sipas Diolës në mjekësinë e vjetër etiopiane mjalti është përdorur për të trajtuar pneumoninë, kollën dhe të ftohtin. Ndërkohë që klinika Mayo, ka gjetur se antioksidantët që përmban mjalti, na mbrojnë dhe nga sëmundjet e zemrës. “Përpiqemi të mbushim vazon apo enën e mjaltit plot me hudhra”, thotë Diola duke shtuar që kjo është mënyra më e mirë dhe e përdorimit të fëmijët. “ Nuk duhet detyrimisht të marrin pjesën e hudhrës, por mjafton një lugë nga ky mjaltë, çdo ditë, në mënyrë që të rrisim sistemin tonë imunitar”. Faleminderit Diola!