Njihuni me bosin shqiptar të arit në Afrikë, ka dy miniera dhe njihet si ‘perandor’ i diamantëve

Në Shqipëri ishte saldator. Por vite më pas jeta e tij ndryshoi. Tani ai është pronar i dy minierave të nxjerrjes së arit në Afrikë dhe njihet si “perandor” i diamantëve.

Kjo është historia e Baki Baliut, shqiptari nga Mitrovica e Kosovës që është bërë i pasur duke zotëruar dy miniera ari në Sierra Leone.

I njohur me nofkën BOSS B, milioneri kosovar ishte i pari që u largua nga vendlindja duke krijuar një biznes të rrallë.

Në një intervistë në Report Tv, Baliu, i njohur dhe si “Baki i Arit”, shpjegon përse e quajnë kështu:

Baki Baliu: Unë merrem me minerale të ndryshme në Afrikë dhe jetoj në Sierra Leone. Kam dy miniera ari atje dhe një staf të përhershëm që punon me mua. Fillimisht emigrova në Gjermani. Babai im ka punuar për 31 vjet në Minierën e Trepçës si minator. Në Gjermani mësova saldimin dhe punova si saldator. Më pas u lidha me një nga njerëzit më të fuqishëm në botë për diamant dhe ar. U bëra truproja i tij personal. Ai më porositi të mos shkoja në Afrikë, por unë nuk e dëgjova.

Baki Baliu tregon më tej se “në vitin 2014 kisha bërë ca para dhe krijova një kompani për riciklimin e gomave. Nga ato nxirrnim vaj dhe solar. Në fakt, teknologjia që kisha nuk e kishte askush tjetër në rajon. Por në Mitrovicë, pushteti më goditi dhe më mbylli fabrikën. U përballa me falimentim të madh. Atë humbje nuk e pranova, kështu vendosa të nis një jetë të re në Afrikë.

Një person vendas më ndihmoi shumë. Atje kam ndihmuar edhe popullsinë lokale. Në periudha të ndryshme kam pasur nga 20 deri në 400 punëtorë. Pagesa mujore është 300–350 euro, që për ta është shumë. Shteti është i fortë, nuk ka vjedhje. Licencën për minierë e mora përmes kryetarit të fshatit, pa mbështetjen e vendasve nuk bëhej dot asgjë”.

Baliu pohon se puna vazhdon vetëm në 7 muaj të vitit pasi pjesa tjetër është sezon shirash dhe toka bëhet e rrezikshme për punë.

Ndërsa pohon: “Unë tani jam numri 1 për miniera atje. Në një vend gjejmë ar, në një tjetër diamant, por nuk ndodhin bashkë të gjitha sepse ka ditë që gjejmë, por ka ditë që gjejmë pak. Kemi 150 hektarë tokë dhe gërmojmë deri në 6 metra thellësi.

I pyetur nëse ka pasur raste që e kanë vjedhur, ai thotë jo: “Jo, askush nuk vjedh aty. Siguria është e madhe dhe kam grupin tim të ruajtjes. Kam gjithmonë një roje personale 24 orë dhe kur transportoj ar, përdor 2-3 makina për siguri”.

Por si e tregton arin dhe diamantët?

Baki Baliu tregon: “Një pllakë prej 10 gramësh ari 999 karat kushton rreth 1500 dollarë për gram. Një lingotë ari vlen rreth 80 mijë dollarë”.

Baliu tregon se ai ka një gur diamant natyral 248 karat, shumë i pastër dhe me vlerë shumë të madhe që nuk e shet.

“Diamantët natyralë kanë vlera të larta deri në 48 mijë dollarë. Ka edhe diamantë laboratorikë, por ata janë shumë më pak të vlefshëm.”

Biznesmeni bën dhe një pohim tjetër: “Parasë i humbet vlera, arit kurrë. Vlera e arit në bursë është rritur nga 61 mijë në 80 mijë dollarë. Ari dhe diamanti janë siguri dhe energji e pastër.”