Brokoli paraqitet si një bimë e “farmacisë natyrore”, siç e përcaktojnë shpesh edhe dietologët. Është shumë e rëndësishme të mësohet se në kuzhinë, brokoli konsumohet i gjithi, pra konsumohen jo vetëm lulet, por edhe kërcejtë nënlulorë e gjethet e reja. Kërcejtë dhe gjethet kanë rreth 30 % të betakarotenit, që përmbajnë lulet, por kanë dhe masën fibroze. Në 100 g frut të brokolit, spikat përmbajtja e lartë prej 114 mg vitaminë C, pra, tre herë më shumë se portokalli.
Sugjerojmë që në blerje, të sigurohemi për frute kompakte e me ngjyrë jeshile të theksuar, me majat lulore jo të lulëzuara – ky është edhe treguesi se produkti është i freskët për gatim. Si të gjitha perimet, rekomandohet që edhe brokoli të mos lihet gjatë në kushtet e mjedisit. Pas pastrimit e larjes, veç përdorimit në gjendje të freskët, kur e vëmë për zierje, duhet të zgjidhen forma zierjeje që t’i ruajnë karakteristikat ushqyese. Zierja (në varësi të kohëzgjatjes) mund të çojë deri në humbjen e 70 % të substancave ushqyese. Veçoritë ushqyese ruhen mirë në mikrovalë ose në gatim me avull. Ngrënia e brokolit është e parekomanduar për personat me probleme të fryrjes e meteorizmit (gazra të tepërta në bark), sepse përkeqëson të tilla çrregullime. Brokoli përbën një burim të pasur me lëndë ushqyese dhe sidomos me vitamina C, A, B1 e B2. Janë evidentuar efekte të rëndësishme antikancerogjene, si në rastet e kancerit të zorrës së trashë, të mushkërive, gjirit; dhe e tëra kjo, i kushtohet përshpejtimit të eliminimit të ekstrogjenit. Njihen po aq mirë vetitë e përgjithshme antivirale, parandaluese të ulçerës dhe rregulluese të nivelit të përmbajtjes së insulinës, por edhe glicemisë (apo sheqerërave) në gjak.
Uji që merret nga zierja e brokolit, për praninë e gazrave me përmbajtje squfuri, gjë që dallohet edhe nga era karakteristike e zierjes si edhe tek lakra, është mjaft i dobishëm për trajtimin e sëmundjeve të lëkurës. Në bazë të studimeve të ndryshme epidemiologjike, konsiston se brokoli ka veti të theksuara antikancerogjene. Mekanizmi lidhet ngushtë me vetitë e tij shumë të efektshme për stimulimin e veprimit mbrojtës dhe ndihmesës ndaj organizmit në proceset e dezintoksikimit dhe eliminimit të kimikateve të dëmshme si dhe hormoneve të rrezikshme. Nga një numër studimesh të kohëve të fundit, rezulton se brokoli favorizon “mirëqenien kardio-vaskulare”, duke parandaluar fillimet e iktusit dhe infarktit dhe se, falë veprimit të sulforafano-s, prania e brokolit në dietë ndihmon organizmin për rritjen e sintetizimit të një proteine që mbron arteriet nga pllakat shtresuese përgjegjëse për arteriosklerozën.