Përgjigjja nga mjekja neurologe Mira Rakacolli:
Megjithëse është një sëmundje e cila është e njohur dhe e përshkruar që në lashtësi, fatkeqësisht akoma nuk njihet mirë shkaku i saj. Njihen shumë hallka të mekanizmit të saj, pra, të asaj që ndodh në sistemin nervor gjatë krizës, megjithëse ai nuk është i sqaruar plotësisht. Duke u munduar ta përmbledh me fjalë të thjeshta për lexuesin, mund të thuhet që për një arsye të panjohur irritohet një nerv që quhet nervi trigeminal. Ky nerv inervon enët e gjakut që furnizojnë trurin me gjak. Në këto enë ndodhin disa ndryshime që konsistojnë në ngushtim e më pas në zgjerim të tyre, e në daljen e disa substancave biokimike, gjeneruese të dhimbjes, edhe pse nuk njihet shkaku, njihen disa faktorë që e shpërthejnë atë.
Këta faktorë mund të jenë:
regjimi jo i rregullt i ngrënies apo i gjumit, lodhja fizike, pijet alkoolike sidomos vera e kuqe, ngrënia e djathit me sasi të mëdha, çokollatat me bajame e lajthi, gjendjet e stresit, ndryshimet e temperaturave apo presioneve etj.