Problemet me stomakun janë të shumta. Disa ushqime janë më të “sjellshme” me të sesa të tjerat, ndaj është mirë që të përdoren më rregullisht
Blerina Bombaj/ Dietologe klinike
Shprehja “probleme me stomakun” përfshin shumë simptoma të lidhura me stomakun dhe zorrët. Ky problem shëndetësor mund të sjellë pasoja dhe ndjeshmëri të lartë të aparatit tretës. Prandaj është e rëndësishme të konsumojmë ushqimet e duhura, sepse zgjedhjet e gabuara në ushqim mund ta përkeqësojnë situatën më shumë se çfarë mendojmë.
Ushqimet që eliminojnë simptomat
Mënyra më e mirë për të përballuar problemet me stomakun është ushqimi i përshtatshëm dhe dieta e duhur. Gjatë fazës akute të dhimbjeve të stomakut për arsye të ndryshme, është mirë të ndiqet dieta BOMBË – Banane – Oriz – Mollë e bërë salcë – Bukë e thekur! Me të ndjekur këtë përberje ushqimi, në përgjithësi përmirësimi është i shpejtë dhe i ndjeshëm.
Gjithashtu, dieta duhet të përfshijë fruta të freskta dhe zarzavate, sa më pak yndyrë dhe sa më shumë ujë. Është mirë që ushqimet të jenë të bluara dhe në temperatura ambjenti. Kujdes duhet bërë edhe me lëngjet që konsumojmë.
Bananet
Bananet treten kollaj. Ato na ofrojnë kalori pa e munduar shumë aparatin tretës. Madje, na furnizojnë me përbërës që na japin fuqi edhe nëse jemi sëmurë. Ato ndihmojnë të eliminojmë substancat e dëmshme nga organizmi.
Xhenxhefil
Kur na përzihet stomaku, xhenxhefiki është një alternativë e shkëlqyer për të shpëtuar nga sikleti! Përveç kësaj, xhenxhefili ka veti të shpërbëjë gazrat e stomakut dhe të çlirojë nga ndjenja e fryrjes. Xhinxheri ndihmon në çlirimin e muskujve të stomakut dhe tretjen duke qenë një zgjedhje shumë e mirë edhe në rast diarreje. I pasur në antioksidante ai ndihmon në gjendjen e përgjithshme të organizmit. Ai mund të konsumohet i freskët, i grirë ose edhe çaj.
Tërshëra
E pasur në fibra dhe karbohidrate ndihmon qetësimin e stomakut. Duke qenë e bluar ajo është shumë miqësore për aparatin tretës.
Mentja (menegjiku)
Mentja është një tjetër variant i mirë për stomakun. Ajo zbut rrugët e aparatit tretës dhe qetëson nga simptomat shumë shpejt. Është shumë rezultative si çaj. Sikurse dhe xhenxhefili, mentja është shumë e mirë për të eliminuar gazrat dhe përzierjet.
Orizi
Orizi përveçse të ngop, është edhe shumë miqësor me qelizat e stomakut. Orizi neutralizon acidet dhe gazrat në stomak dhe forcon përmbajtjen e mbetjeve në zorrën e trashë duke i dhënë fund diarresë. Mirë është të hahet në formë “llapa”-je, por edhe nëse i shtoni pak zarzavate dhe brodo për shije, nuk përbën problem.
Buka e thekur
Si orizi, edhe buka e thekur neutralizon acidet në stomak dhe e qetëson pasi tretet lehtë.
Kosi
Nga bulmeti, vetëm kosi natyral është ushqimi më i përshtatshëm për stomakun, sepse e ndihmon aparatin tretës të plotësojë mikroflorën e tij, e cila dëmtohet shumë lehtë gjatë çrregullimeve të tretjes.
Çokollata e zezë
Çokollata e zezë përbën një mënyrë e shkëlqyer për t’i bërë zorrët të lëvizin! Shumë njerëz ndjehen mirë kur konsumojnë çokollatë në momentet që ju përzihet stomaku dhe studimet tregojnë se çokollata fondente mund të çlirojë muskujt e stomakut, të cilët kontraktohen si pasojë e një mikrobi apo helmimi. Për të qetësuar dhimbjet e stomakut, mund të provoni një gotë qumësht të ngrohtë më pak çokollatë të zezë të shkrirë në të.
Lëngjet e frutave
Lëngjet e frutave të shtrydhura dhe çajrat bimore janë gjithashtu alternativa të domosdoshme për të rikuperuar gjendjen e stomakut ndërkohë që hidratimi nëpërmjet ujit të bollshëm është primar në ruajtjen e gjendjes së përgjithshme!