Nga Ajgena Korbi
Oborrin e spitalit Infektiv në Tiranë javët e fundit rrallë e gjen bosh. Mesatarisht çdo ditë paraqiten 15 deri në 20 urgjenca.
Të infektuarit që kërkojnë ndihmën e mjekëve sipas infeksionistes Migena Qato variojnë nga 20 vjeç deri në të moshuar. Të gjithë paraqesin formë të mesme deri në të rëndë të Covid 19.
“Nuk ka forma të lehta” tha ajo. Pse po paraqiten në këtë gjendje? “Ditët e para të sëmundjes janë të gënjeshtërta, kanë simptoma të zbehtë dhe mendojnë se kaq ishte covid” tha ajo.
Në spital nuk ka persona të riinfektuar, por vijojnë të paraqiten ata që kanë marrë dozat anti Covid të Coronavac, Pfizer dhe AstraZeneca ndonëse të pakët në numër.
Por çfarë po vërejnë mjekët tek këta të shtruar?
“Graviteti klinik është diametralisht i kundërt krahasuar me ata që nuk kanë marrë vaksinën, pra paraqesin forma më të lehta, por dhe tendencat në forma më severe të klinikës kalojnë më mirë, e përballojnë më mirë terapinë dhe kanë tendencën të kenë hapa më të shpejtë përmirësimi” tregon infeksionistja Migena Qato
Në katër ditë që prej rihapjes së Covid 3 numri i të shtruarve në dy spitalet ku trajtohen të sëmurë me koronavirus është rritur me afro 50%./ Abcnews.al