Bordi i Transparencës merr vendim lidhur me çmimin e karburanteve, ku nga pasditja e sotme nafta do të tregtohet me 232 lekë për litër, benzina me 212 lekë dhe gazi i lëngshëm me 104 lekë.
I mbledhur ditën e sotme, Bordi vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, në njoftimin zyrtar thuhet se Bordi vendosi:
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 23.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
-220 Lekë/litri për gazoilin;
-200 Lekë/litri për benzinën;
-92 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 23.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
-232 Lekë/litri për gazoilin;
-212 Lekë/litri për benzinën;
-104 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.
Sqarohet se çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën.
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 23.04.2022, ora 18.00 pasdite, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Bëhet e ditur se në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.