Jeta në shtëpinë e “Big Brother VIP”, është më e ndjekura dhe më e komentuara në rrjetet sociale por edhe në jetën e përditshme.
Në lidhje me audiencën shumë të madhe të këtij spektakli ka mendime të ndryshme. Suksesi televiziv ka kaluar kufijtë e një spektakli në ekranin e Televizorit në një fenomen social që mund të quhet edhe si “Big Brother Mania”.
Për efektet e këtij formati thuhet dhe mund të thuhet shumë qe nga ata që e shijojnë si një argëtim e deri tek ata që janë kundër. Por të gjithë janë dakord në një pikë, që Big Brother nuk ka lënë askënd indiferent. Top Channel ka mësuar se në një vrojtim të realizuar nga AKSHI, rezulton se pjesa më e madhe e administratës publike gjatë orëve të punës ndjek videot e shtëpisë së Big Brother. Ndërkohë që në shkolla nxënësit shpesh zgjedhin të luajnë rolet e personazheve të kësaj shtëpie si Luizi, Kiara apo maestro.
Por sot do ju tregojmë për një tjetër efekt social që ka shkaktuar ky format televiziv. Gjatë netëve të spektaklit, të martën dhe të shtunën, është vërejtur një frekuentim më i ulët i lokaleve dhe një qarkullim më i lehtësuar i automjeteve. Të shtunën, teksa në ekranin e Top Channel transmetohej spektakli, rrugët në qendër të Tiranës ishin krejtësisht të zbrazura.
“Kryesisht të martën ka një reduktim masiv të trafikut. Lëvizjet janë të rralla pothuajse janë rrugë të boshatisura. Nuk është ai aktiviteti i përditshëm rutinor që bëhet në Tiranë. Ndërsa e shtuna ka një reduktim por mbas orës 24:00 rinis lëvizja me qytetarët që dalin në lokalet e natës. Lehtësimi i trafikut ndikon drejtpërdrejt në punën tonë sepse na lejon të angazhohemi te kundravajtjet”, thotë specialisti i trafikut urban, Gerhard Baka.
Po ashtu është vërejtur se gjatë netëve të spektaklit ka më pak ngjarje kriminale apo incidente me pasoja. Referuar buletinit të publikuar çdo 24 orë nga ana e policisë së shtetit ka rezultuar se gjatë të martës së kalua numri I procedimeve është ulur gati 50% se një ditë më parë.
Konkretisht gjatë të hënës më 30 janar janë proceduar për vepra të ndryshme penale 123 persona ndërsa gjatë të martës kur transmetohet spektakli I big brother vetëm 87.
Top Channel