Sot, më 3 gusht, në moshën 72 vjeçare, ka ndërruar jetë Emine Arifi Bakalli, profesoresha në pension e katedrës së historisë në Universitetin Hasan Prishtina. Ajo u përcoll për në banesën e fundit nga familja e ngushtë.
Dr. Emine Arifi Bakalli ishte një studiuese e shquar dhe pedagoge me virtyte të larta, e vlerësuar nga breza të shumtë studentësh për profesionalizmin dhe stilin magjepsës të mësimdhënies. Ajo realizoi studime të thelluara në histori dhe dha kontribut të çmuar në Universitetin e Prishtinës për më shumë se dy dekada.
Gjatë viteve 1980-1990, Bakalli luftoi për autonominë e Universitetit të Prishtinës dhe mbajti pozicione të rëndësishme akademike. Ajo është autore e disa librave dhe artikujve shkencorë për historinë e Kosovës, duke përfshirë monografinë: “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1929-1939.”
Ishte anëtare e Këshillit për histori pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe pjesëmarrëse në shumë kongrese e simpoziume shkencore.