Eshtë ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare mjeku i njohur i reanimacionit në QSUT, profesor Ilir Ohri.
Ohri, një prej figurave më të shquara të Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit dhe tё mjekёsisё shqiptare, ka dhënë prej më shumë se 40 vitesh një kontribut të veçantë dhe të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij shërbimi në vendin tonë.
Ai ishte një nga themeluesit e shërbimit modern të Anestezi-Reanimacionit dhe drejtues i tij prej 30 vitesh.
Prof. Ilir Ohri ka lënë gjurmën e tij në ngritjen, funksionimin dhe perfeksionimin e të gjitha njësive të reanimacionit në Tiranë e në mbarë vendin.
Ai bën pjesë në bërthamën e shkëlqyer të mjekëve, që themeluan Shkollën e Anestezi-Reanimacionit që në gjysmën e parë të viteve ’80.
Prof. Iliri i ka ndarë pa kursim dijet e tij të gjera ndër vite, me qindra mjekë anestezistë, të cilët i janë mirënjohës dhe janë krenarë, që kanë qënë nxënës të tij.
Një nga kulmet e veprimtarisë së Prof. Ohrit në fushën akademike është edhe krijimi i Shkollës së Anestezi-Reanimacionit në Republikën e Kosovës dhe përgatitja e një plejade specialistësh të fushës atje. Gjithashtu, ai ka udhëhequr mjaft doktoratura në Universitetin e Prishtinës.
Veprimtaria shkencore e Prof. Ohrit është e gjërë, cilësore dhe e larmishme. Ajo pasqyrohet jo vetëm në aplikimin klinik të të rejave bashkëkohore të fushës, por edhe në artikujt e referimet e shumtë në shtypin shkencor kombëtar e ndërkombëtar.
Ai ishte një nga themeluesit e Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit dhe një nga drejtuesit aktivë të saj.
Gjatë gjithë jetës profesionale Prof. Ilir Ohri është karakterizuar nga puna e pakursyer në shërbim të të sëmurëve më të rëndë, nga ndershmëria e lartë, nga profesionalizmi i rrallё, nga integriteti solid dhe nga personaliteti i palëkundur.
Anestezi-Reanimacioni shqipëtar humbi mësuesin, drejtuesin dhe mjekun e talentuar.
Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve te Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe shokëve të tij.