Pedagogia dhe studiuesja Genciana Abazi Egro është ndarë nga jeta dje, në moshën 53 vjeçare, duke lënë dhimbje të madhe te familja dhe miqtë, por dhe në komunitetin shkencor të cilit ajo i përkiste.
Ajo prej vitesh ishte punonjëse shkencore pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë).
Genciana Abazi Egro ka qenë studiuese e afirmuar në fushë të gjurmimeve mbi tekstologjinë dhe orientalistikën, mbi letërsinë e divanit dhe figurat kryesore të rrymës letrare të autorëve që kanë shkruar me alfabet arab.
Po ashtu, ajo është autore e dy botimeve të rëndësishme kritike të veprave të Nezim Beratit (2009) dhe Hasan Zyko Kamberit (2017), realizuar dhe dalë nga shtypi nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (Departamenti i Studimeve Letrare).
Genciana Egro është autore e një numri të konsiderueshëm shkrimesh dhe artikujsh shkencorë mbi autorë, dukuri e vepra që lidhen me letërsinë shqipe të shkruar me alfabet arab, por dhe drejtuese shkencore e disa punimeve doktorale të mbrojtura me sukses në shkollën e studimeve doktorale pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Një pjesë e mirë e artikujve të saj mbi këto fusha studimi janë të botuara në revistat “Studime filologjike” dhe “Studime historike”. Nga janari i vitit 2017, Genciana Abazi Egro ka qenë dhe titullare e lëndëve Analizë Kritike e Ligjërimit dhe Semiotikë pranë Universitetit Europian të Tiranës.