Themeluesi i Gjeografisë shqiptare, Prof. Dr. Mevlan Kabo, ka ndërruar jetë. Prof. Mevlan Kabo, është një ndër përfaqësuesit e denjë të plejadës së gjeografëve, që hodhën bazat e arsimit dhe të shkencës gjeografike shqiptare, për të cilat ish-studentët, kolegët e tij dhe breza të tërë mësuesish dhe gjeografësh i janë mirënjohës.
Kontributi i tij i madh u shtri në shumë fusha: pedagogjike, shkencore, drejtuese dhe publicistike: drejtues i suksesshëm i sektori në Institutin e Studimeve e Botimeve Shkollore dhe enciklopedike; drejtues i insitucioneve universitare (pedagog i gjeografisë dhe përgjegjës i katedrës së Gjeografisë, zv.dekan i Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Universitetit të Tiranës); drejtues i institucioneve shkencore (drejtor i Qendrës së Studimeve Gjeografike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; drejtues kryeredaktor dhe autor i veprës monumentale kombëtare Gjeografia fizike e Shqipërisë, botim i Akademisë së Shkencave (1991); drejtues e redaktor shkencor i gjeografisë në Redaksinë e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985 dhe 2008). Kontributi pedagogjik dhe shkencor i prof. Kabos u shtri edhe në Kosovë, ku vendosi themelet e bashkëpunimit shkencor me Universitetin e Prishtinës.
Kudo ku ka punuar prof. Kabo, u dallua për korrektesë, drejtësi, aftësi drejtuese, mendim novator dhe kulturë të gjerë shkencore gjeografike.
Profesor Kabo është autor dhe bashkëautor, në vepra të mëdha kombëtare, monografi, studime, artikuj studimorë, referime në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, harta, libra shkollorë për arsimin parauniversitar dhe universitar etj.