Ndahet nga jeta aktori i madh shqiptar, s’e fitoi dot betejën ndaj Covid

Është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare aktori i njohur i humorit shqiptar, Arben Shaka. Ai s’e ka fituar dot betejën ndaj Covid, ndërsa lajmin e kanë ndarë në rrjetet sociale fëmijët e tij.

Shaka e nisi karrierën artistike në vitin 1966, ku fillimisht interpretoi në rolin e shoferit në pantomimën “Shoferi dhe Pasagjeri”, autor i së cilës është Agim Nallbani dhe partneri në rolin e pasagjerit ishte Astrit Ferizaj. Po atë vit Arben Shaka kishte filluar punë si elektro-auto në Parkun e Kamionëve dhe këtë pantomimë e paraqitën në festivalin e estradave amatore.

Ishte 16 vjeç dhe u befasua krejtësisht për suksesin absolut të kësaj pantomime dhe kryesisht në suksesin qe arriti në rolin e shoferit. Ne moshën 17-vjecare , ne muajin Prill te v . 1968 nis karrierën profesioniste në skenën e teatrit të Estradës së Tiranës, duke e filluar me këtë pantomimë “…. nuk më harrohet në kulmin e suksesit të saj në skenën e estradës, kur unë interpretoja duke u dhënë i tëri pas rolit, rastësisht hodha vështrimin nga spektatorët dhe për çudinë time të gjithë hidheshin nga karriget duke më imituar mua, në ato çaste magjike interpretonin së bashku me mua gjashtëqind spektatorë…”

Arben Shaka ka patur një fat qe e ka ndjekur gjate 30-vjeteve te karrierës se tij. Pjesëmarrja në filma ishte shkas i daljes në skenë me sukses dhe as qe e mendonte që do ta merrnin kaq shpejt për të xhiruar në ndonjë film. Prirjet e artistit Shaka ishin kryesisht për pantomimën aktoriale dhe kupletet muzikore dhe këtu ka një të përbashkët me artin e bukur të cirkut.