Në emisionin “Dola te Ola”, ka qenë i ftuar Shpëtim Nazarko i cili ka rrëfyer si asnjëherë tjetër detaje të pathëna nga jeta e tij private.
Nazarko ka qenë pjesë e një familjeje të persekutuar dhe në emision ka rrëfyer se ka lindur në internim në Lushnjë dhe tha se babai ka qenë mësuesi i tij i parë që në moshën 5-vjeçare.
Ai kujtoi se një herë kur i ati e dërgoi në bibliotekë, pasi nuk kishin mundësi që t’i siguronin vetë librat, Nazarko e kishte gënjyer dhe nuk kishte shkuar. Teksa buzëqesh ai tha se babai e kishte rrahur dhe pas asaj ai nuk iu nda më bibliotekës.
Nazarko jeton ende me prindërit e tij, të cilët janë të dy rreth moshës 87-vjeçare. Ai shpreh se edhe nëna ka patur padiskutim një rol shumë të rëndësishëm tek ai.
Ndërkohë për faktin që nuk është martuar, Nazarko tha se shkak kanë qenë rrethanat e jetës me të cilat ai është përballur, pasi që në moshën 15 vjeç i është dashur të marrë rolin e kapitenit në shtëpi.
Nazarko është me origjinë nga Kolonja sikurse edhe vëllezërit korçarë, të cilët zgjodhën ta përshëndesin atë me një këngë të veçantë.