Gjatë ditës së sotme, një profesor i Inxhinierisë së Mjedisit në Universitetin Aristoteli të Selanikut, Demosthenes Sarigiannis ka komentuar të dhënat alarmante nga përhapja e mutacionit Delta në Greqi.
Doktori Sarigiannis tha se të dhënat janë po aq shqetësuese sa parashikimet ndërsa shtoi se në fund të korrikut vendi do ketë një mesatare prej 2,600 rastesh. Gjithashtu, ai vlerëson se në gusht mesatarja do të arrijë rreth 3,430 raste në ditë.
“Të gjithë duhet të shkojnë dhe të vaksinohen,” apeloi profesori.
Lidhur me mutacionin Delta, Sarigiannis përsëriti atë që dihet tashmë se është një variant që përhapet shumë shpejt ndërsa theksoi se brenda 15 ditëve do të jetë mbizotërues në vend. Siç shpjegoi profesori grek, mutacioni Delta mund të transmetohet 15 deri në 30 sekonda nga personi në person, për dallim nga forma origjinale e virusit që kërkon 15 minuta.
Kujtojmë se Greqia në javën e fundit po regjistron një rritje të konsiderueshme të rasteve, në 24 orët e fundit vendi raportoi 1,997 të infektuar.