Mjeku Sulçebe jep lajmin e mirë: Ja kur e arrin Tirana imunizimin kolektiv ndaj koronavirusit

Tirana, si qyteti më numrin më të madh të të prekurve nga COVID pritet të arrijë imunitetin kolektiv në fund të muajit qershor. Anëtari i Komitetit të Imunizimit, Genc Sulçebe tha për Report Tv se me këtë ritëm infektishem në fund të qershorit popullsia e Tiranës do të jetë e prekur deri në 80 %.

“Mund të themi që nëse ne presupozojmë që tani në Tiranë mund të kemi rreth 50% të popullatës që janë të prekur nga koronavirusi, kryesisht me infeksion natyral por edhe ato që janë vaksinuar, atëherë me këtë ritëm presim që në qytetin e Tiranës nga fundi i qershorit mund të kemi arritur atë kufirin e imunitetit kolektiv që është llogaritur me treguesit e sotëm të ngjitshmërisë, të transmetueshmërisë së virusit, të varianteve të reja të virusit, duhet të jetë deri në 80%”, u shprehu imunologu Genc Sulçebe.

Imunologu Sulçebe sqaron se vaksina Astrazeneca është e sigurt dhe procesi i vaksinimit duhet të vazhdojë me ritme sa më të shpejta.

“Kohët e fundit dolën disa po themi komunikime që ka një rritje të shtuar të problemeve të koagulimit të gjakut, të trombeve, në individët pas vaksinës AstraZeneca por ky numër është në fakt i papërfillshëm. Pra bëhet fjala për një mesatare përreth 2 rasteve e gjysmë në 1 milionë banorë. Pra në 17 milionë banorë në të cilët është aplikuar kjo vaksinë deri tani janë shfaqur jo më tepër se 40 raste me probleme të këtyre tromboembolive, pra mpiksjeve të gjakut në organizëm”,tha Sulçebe.

Por a duhet të mbajë maskë një qytetar që i ka marrë të dyja dozat e vaksinës?

“Rekomandimet e fundit nga Qendra e Sëmundjeve Infektive të Shteteve të Bashkuara janë që këto njerëz që kanë dy javë që kanë bërë dozën e dytë tashmë mund ta heqin maskën dhe të rijnë pa mbrojtje afër vetëm me individë të tjerë që gjithashtu e kanë bërë vaksinën. Por duhet ta mbajnë maskën dhe të mbajnë distancimin social, fizik me individë që nuk dihet nëse e kanë bërë ose nuk e kanë bërë. Pra heqja e maskës duhet të bëhet vetëm me individët që dihet që e kanë bërë vaksinën”, tha ndër të tjera Genc Sulçebe.

Nga vaksinimi antiCovid nuk përjashtohet asnjë kategori shpjegon Sulçebe. Mjafton që qytetari të jetë në gjendje të mirë dhe të ketë minimalisht një muaj që e ka kaluar infeksionin.