Emisioni “Fiks Fare” sjell një rast mitmarrje nga ana e bluzave të bardha në qytetin e Fierit.
Mjeku Musa Skënderaj akuzohet nga dy prindër se u ka marrë 40 mijë lekë për operimin e djalit të tyre, ndërkohë që sot i mituri rrezikon të humbasë një testikul dhe duhet të rifutet sërish në operacion.
“Përveç faktit që do operohet prapë, duhet të paguajmë prapë”,- shprehet nëna për Fiks Fare.
Mamaja e djalit tha se mjeku Skënderaj pas përfundimit të ndërhyrjes kirurgjikale u ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet 40 mijë lekë. E gjitha ka ndodhur para dy muajve në Spitalin Rajonal të Fierit, ku djali i tyre iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale e cila nuk doli e suksesshme. Aktualisht djali duhet të rioperohet për përdredhje testikulare dhe nëna pohon se duhen sërish lekë për të paguar mjekun.
Familja nuk u ndal vetëm me ankesën verbale. Babai i djalit e takoi vetë mjekun dhe e regjistroi me kamera të fshehtë. Gjatë bisedës, mjeku mohoi se kishte kërkuar para para operacionit, por nuk përjashtoi marrjen pas tij, një detaj që lë të kuptohet se pagesa është bërë, pavarësisht mënyrës dhe kohës.
Gjatë takimit, babai i dha mjekut edhe shumën prej 20 mijë lekësh për operacionin e dytë, të cilat u pranuan nga mjeku pa asnjë hezitim. Madje mjeku pasi futi lekët në xhep sqaroi të atin e pacientit se bëri maksimumin në sallën e operacionit , por nuk e shpëtoi dot testikulin.
Gazetarët e Fiksit kanë intervistuar mjekun Musa Skënderaj, i cili tha se në spital atë ditë nuk kishte mjek specialist për atë ndërhyrje, por e kreu vetë. Ndërkohë për paratë ai mohoi të ketë marrë për operacion, por u shpreh se i kishte marrë për shërbimin online që ju ka dhënë familjarëve. Pra 60 mijë lekë në total për telefonata me prindërit e pacientit.