Shefi i Shërbimit Obstetrik Gjinekologjik në spitalin e Shkodrës, Senad Halluni, ka dhënë detaje për lindjen e 32-vjeçares Orjana Gremi, e cila e hodhi foshnjen në lumin Kir, duke i marrë atij jetën.
Në një prononcim për gazetarët, Halluni tregon se e reja shkoi për të lindur në datë 30 dhjetor. Ai thotë se ishte lindja e parë për Gremin dhe se kreu lindje normale. Sipas tij, ajo refuzoi regjistrimin e atësisë së fëmijës dhe kërkoi dorëzimin e tij në Shtëpinë e Foshnjes. Megjithatë, më pas ajo ndryshoi mendje dhe e mori vetë fëmijën.
“Zonja ka refuzuar regjistrimin e atësisë së fëmijës. Ka pasur lindje normale me 30. Zonja ka kërkuar dorëzimin në shtëpinë e foshnjes. Kemi njoftuar drejtorinë e shtëpisë së foshnjës për procedurat. Me datë 4 kemi kryer procedurat për t’u transferuar në shtëpinë e foshnjës, ajo ka refuzuar më pas. Ka nënshkruar që merr përsipër marrjen e foshnjes”, tha mes të tjerash mjeku.
Sipas mjekut, ajo nuk ka shfaqur probleme të shëndetit mendor. Mësohet se 32-vjeçarja ka punuar në një ndërmarrje këpucësh. Ajo rezulton se është e vetme dhe banon në Golem.