Mjeku endokrinolog Flamur Mete tregon menyrat e kurimit te diabetit

Nivelet jonormale të insulinës në gjak shkaktojnë diabetin. Por, cilët janë karakteristikat e sëmundjes dhe faktorët predispozues për shfaqjen e saj? Ja çfarë thotë mjeku endokrinolog, Flamur Mete, specialist pranë poliklinikës së specialiteteve nr.3:

Çfarë është sëmundja e diabetit?

Diabeti i sheqerit është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën se si organizmi ynë e përpunon sheqerin (karbohidratet apo glukozën) që ne marrim me ushqimet e ndryshme.

Pse shkaktohet kjo sëmundje?

Defekti qëndron në pamundësinë e insulinës, një hormon i prodhuar nga pankreasi, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në vlerat normale. Insulina ose prodhohet pak (pamjaftueshmëri e pankreasit) ose nuk vepron si duhet për të futur sheqerin brenda në qelizat e indeve të organizmit (pamjaftueshmëri e insulinës). Për rrjedhojë, sheqeri është me tepricë në gjak dhe jep shenja të ndryshme, të cilat jo gjithmonë janë të pranishme tek një pacient me diabet. Ato mund të jenë të veçuara dhe në shkallë të ndryshme të intensitetit të tyre. Është pikërisht ky intensitet, që bën në shumicën e rasteve që diagnoza të përcaktohet me vonesë ose ai të zbulohet rastësisht pas problemeve të tjera shëndetësore. Po kështu, shkalla e shprehjes së shenjave të sëmundjes varet shumë nga mënyra e korrigjimit të sëmundjes, pra terapia me ilaçe, mënyra e të ushqyerit (dieta) dhe mënyra e jetesës.

Sa tipa diabeti ka?

Diabeti ndahet në dy tipa në varësi të moshës së pacientit ku shfaqet sëmundja. Në tipin I, ai shfaqet në moshat midis 0-40 vjeç dhe tipi II, zakonisht shfaqet mbi moshën 40 vjeç.

Tiparet e këtyre dy tipave të diabetit?

Tipi I është pothuaj gjithmonë i trashëgueshëm dhe mjekohet me injektim të insulinës nën lëkurë një ose disa herë në ditë, ndërkohë që tipi II është i përzier, pra një pjesë e të sëmurëve e kanë të trashëgueshme dhe një pjesë tjetër jo. Ky tip, i cili është më i shpeshtë dhe me incidencë që rritet me rritjen e moshës, mund të mjekohet mjaft mirë me medikamente.

Faktorët predispozues për shfaqjen e sëmundjes?

Me rritjen e moshës dhe në prani të mbipeshës dhe aktivitetit të ulët fizik, shtohet dhe mundësia për t’u shfaqur sëmundja. Në këtë kuadër, si çdo sëmundje metabolike, sëmundjet që kanë të bëjnë me mënyrën e përpunimit të lëndëve të ndryshme organike që ne marrim me anë të ushqimit, edhe diabeti i sheqerit është i lidhur ngushtë me dietën dhe mënyrën e jetesës, p.sh aktivitetin fizik.

Stili i jetës është një nga shkaktarët e shfaqjes së sëmundjes. Konkretisht si ndikon ai?

Stili i jetës është i padiskutueshëm në rolin e tij për korrigjimin e shpejtë të vlerave të sheqerit në gjak dhe ndihmesën ndaj terapisë me ilaçe. Një jetë aktive ndihmon në një funksionim normal të organeve të ndryshme dhe organizmit në tërësi, në ruajtjen e peshës normale, në parandalimin e obezitetit (mbipesha dhe dhjamosja), që është “miku” më i ngushtë i diabetit.

Këtu përfshihet dhe roli i një regjimi ushqimor të shëndetshëm, që duhet të jetë i pasur me perime dhe i varfër me ëmbëlsira, yndyrna me origjinë shtazore (dhjamërat, gjalpi, qumështi i paskremuar), kripë dhe brumëra.

Si duhet trajtuar sëmundja?

Historikisht mjekimi i diabetit është bërë duke luftuar pasojat (simptomat) dhe jo shkaqet që e shkaktojnë atë. Kjo tregon, se shumë ilaçe për diabetin parandalojnë atë që diabeti shkakton si p.sh.: etjen e tepruar, urinë, urinimin, irritimin, dobësinë dhe lodhjen. Këto ilaçe i lehtësojnë këto simptoma, por ato nuk funksionojnë duke bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj insulinës, që është shkaku i 95% të rasteve të diabetit të tipit II.

Shumica e këtyre ilaçeve funksionojnë duke rritur sasinë e insulinës së prodhuar nga organizmi, duke ngadalësuar çlirimin e glukozës nga mëlçia ose duke ngadalësuar thithjen e ushqimit nga zorrët.

Shenjat

Si ta kuptosh nëse vuan nga diabeti?

-etje

-shtim oreksi

-shtim në peshë

-urinon shpesh

-lodhje e shpejtë

-ulje të vëmendjes dhe përqendrimit

-dobësi e përgjithshme

-humbje peshe

-probleme me shikimin

-infektime të përsëritura të lëkurës

Komplikacionet që shfaq niveli jo normal i insulinës

– Infertilitet: Niveli i lartë i insulinës mund të ndërpresë prodhimin normal të hormoneve (psh. sindroma e policistitit të vezëve)

– Sëmundje të zemrës: Niveli i lartë i insulinës mund të shkaktoje rritje të tensionit dhe nivelit të triglicerides (një lloj yndyre, që gjendet në gjak). Mund gjithashtu të ulë nivelin e kolesterolit “të mirë” HDL. Niveli i lartë i insulinës mund të shkaktojë ngushtimin e arterive, duke i çuar ato deri në mbyllje (krize zemre).

– Diabet: Pamundësia e trupit për të përdorur tamam insulinën, shpesh shkakton diabet të tipit II.

– Ka gjithashtu të dhëna, që nivele të larta të insulinës mund të shkaktojnë probleme me veshkat, probleme me tiroiden, bile edhe hollim të kockave.

Faktorë predispozues

– Nëse jeni mbipeshë

– Nëse nuk bëni fizkulturë

– Nëse jeni mbi 40 vjeç

– Nëse dikush në familjen tuaj ka diabet, tension të lartë apo probleme me zemrën

– Nëse keni nivel më të lartë se normal të sheqerit në gjak (100) – Shtatzënia

– Nëse keni tension të lartë (mbi 13-9), nivel të ulët të HDL (nën 50 për gra dhe nën 40 për burra), ose sasi të madhe të triglicerideve në gjak (mbi 150)

Çfarë mund të bëhet për ta parandaluar?

– Të biesh nga pesha, qoftë edhe pak kile, mund të çojë në përmirësimin se si trupi mund të përdorë insulinën.

– Përmirësimi i dietës. Evitoni të hani karbohidrate me pak fibër dhe konsumoni më shumë zarzavate me nivel të lartë në fibër; merrni sasinë e duhur të proteinave dhe yndyrës.

– Lëvizni më shumë. Bëni të paktën 30 minuta lëvizje në ditë. Vënia në lëvizje e muskujve ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak. Kjo çon në uljen e insulinës.

– Relaksohuni. Stresi mund të rrisë nivelin e insulinës. Gjeni diçka që ju ndihmon t’ju relaksojë, e cila mund të jetë fizkulturë ose ndonjë aktivitet që ju sjell kënaqësi.

STUDIMI

Peshku ndihmon zemrën e grave diabetike

“Peshku ndihmon zemrën e grave diabetike. Mjafton të hanë 5 vakte në javë peshk, për të ulur deri në 64% rrezikun për të zhvilluar sëmundje të aparatit kardiovaskular”. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga ekspertët e Universitetit të Harvardit.

Acidet yndyrore, Omega 3, që ndodhen me shumicë te toni, sardelet dhe salmoni ndihmojnë në uljen e rrezikut për shfaqjen e takikardisë, dëmtimit të enëve të gjakut dhe zvogëlimin e nivelit të triglicerideve në gjak. Rezultatet e studimit janë bazuar në një punë vëzhguese 16-vjeçare mbi sjelljet ushqimore të 5 103 grave të prekura nga diabeti i tipit II. “Eshtë vënë re, se gratë që konsumojnë më tepër peshk, kanë një stil jetë më të shëndetshme dhe janë mjaft aktive. E kjo përkthehet në një gjendje të përgjithshme më të shëndetshme. Fakt për këtë është numri më i vogël i vdekjeve te këto gra, qoftë dhe prej patologjive, që nuk lidhen drejtpërdrejtë me diabetin apo sëmundjet kardiake”, përfundojnë ekspertët.

E REJA MË E FUNDIT

Zbulohet një formë e re diabeti

Një grup studiuesish norvegjezë kanë zbuluar një formë të re diabeti. Disa pacientë diabetikë shfaqin anomali ose mungesë prodhimi të enzimave të pankreasit, por ende nuk njihet lidhja mes funksioneve të ndryshme të pankreasit, faktorëve gjenetikë dhe zhvillimit të sëmundjes. Studimi është bazuar në vëzhgimin dhe përballjen e personave me diabet dhe çrregullim të prodhimit të enzimave të pankreasit. Studimi ishte fokusuar kryesisht në aspektet gjenetike të sëmundjes. Pankreasi ka dy funksione themelore: tretëse dhe prodhimin e sekrecioneve të enzimave, që ndikojnë në procesin tretës të stomakut dhe prodhimin e hormoneve mes të cilëve dhe insulinës. Përveç niveleve të larta të glukozit në gjak, këto sëmundje karakterizohen nga një përkeqësim i përgjithshëm i funksioneve të pankreasit dhe ulje të thithjes së yndyrnave në stomak.